E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionet parlamentare miratojnë rezolutën për KLSH, kërkohet auditimi final i koncesioneve

Në një mbledhje të përbashkët të zhvilluar sot, Komisioni i Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, i drejtuar nga Milva Ekonomi, dhe Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale miratuan projektrezolutën për veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2024.

Pasi dëgjesa me përfaqësuesit e KLSH-së ishte zhvilluar më herët, deputetja Antoneta Dhima, në cilësinë e bashkërelatores, paraqiti raportin që, përveç vlerësimit të punës së bërë, përmbante sugjerime thelbësore për përmirësimin e punës së këtij institucioni.

Ndër pikat më të rëndësishme që përmban rezoluta, të cilat do të shërbejnë si udhërrëfyes për punën e KLSH-së në vijim, janë auditimi i kontratave koncesionare.

KLSH-së i kërkohet të përfundojë auditimet e kontratave koncesionare, veçanërisht atyre që ndodhen në fazë përfundimi të afatit të zbatimit. Fokusi duhet të jetë te verifikimi i kostove të deklaruara nga operatorët privatë, përmbushja e standardeve të shërbimit dhe respektimi i detyrimeve fiskale e kontraktore.

Përfundimi i integrimit të metodologjisë për vlerësimin e dëmit ekonomik në Rregulloren e Procedurave të Auditimit, si dhe përmirësimi i cilësisë së auditimeve të performancës.

Projektrezoluta, që përmban këto rekomandime, u miratua me shumicë votash në mbledhjen e përbashkët dhe do t’i kalojë për shqyrtim dhe miratim përfundimtar seancës plenare të Kuvendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›