Mitingjet e NATO-s
Mitingu festiv i së dielës, organizuar nga shumica në pushtet, ishte pa asnjë mëdyshje nga mitingjet më të mëdha që PD ka bërë në atë shesh prej vitit 1992. Ai mund të krahasohej me mitingun e shkurtit të vitit 2004 në lëvizjen “Nano Ik!” dhe natyrisht ishte në radhë pas mitingut të 22 marsit 1992. Ka shumë debate për atë çfarë tregon ai miting. Kritikët ndaj tij fokusohen te fakti që qeveria kishte urdhëruar çdo drejtor ndërmarrjeje të paguante një autobus nga rrethet, apo çdo mësues të binte klasën e tij në kujdestari në Tiranë, çdo ministri të kishte kuadrin e vet e të tjera udhëzime të tilla klasike në Shqipëri në raste mitingjesh. Unë nuk i shikoj fare të vlefshme këto debate. Mitingjet janë demonstrim force, dhe për të demonstruar forcën përdoret çdo mjet. Partia në pushtet po përdor pushtetin dhe natyrisht 110 mijë punonjësit e administratës së saj, që paguhen prej saj, janë përdorur në këtë rast për të demonstruar fuqinë e pushtetit.
Debati real qëndron se sa vlerë elektorale ka një mekanizëm i tillë. Kritikët normalë të praktikave të tilla e mohojnë vlerën elektorale, por në të vërtetë gabojnë. Një gjest i tillë force u jep shumë zemër militantëve të dëshpëruar të partisë në pushtet dhe janë një motor i mirë entuziazmi për ta. Në mos për asgjë tjetër, me një miting të tillë Berisha arrin ta fusë në fushatë elektoratin e vet me moral të ngritur dhe me arsye të besueshme për të debatuar me kundërshtarët e tyre. Ai është tërësisht i përqendruar te rritja e besimit të pjesës së vet në politikë dhe një demonstrim i tillë, qoftë dhe fals, i forcës për ta si liderë karizmatikë është nevojë e ditës. Për këtë arsye nuk duhen injoruar vlerat elektorale të një mitingu të tillë.
Por vlera reale e një mitingu të tillë më shumë sesa elektorale është te sinjali që kemi për fuqinë reale organizative të shumicës në pushtet. Opozita duhet të përgatitet për një fushatë thuajse të pabarabartë organizative me partinë në pushtet. Fakti që ajo arriti ta bëjë funksionale skemën që çdo drejtor të sjellë një autobus me punëtorë në një miting, është një sinjal se një gjë e tillë mund të përsëritet dhe në fushatë elektorale për mitingjet zonale apo qendrore. Është e vërtetë se ato mitingje nuk përkthehen në vota, por përkthehen në mobilizim dhe energji për elektoratin dhe shumica në pushtet provoi publikisht se do ta përdorë deri në fund këtë mundësi që ka. Unë e kuptoj se dje ka pasur mësues të revoltuar apo nxënës që kanë shkuar nga hatri i mësuesit apo qejfi i “Elita 5” në shesh, por as shumica në pushtet nuk mërzitet për këtë gjë. Dhe ajo e di që ato s’janë votat e saj, por duke ekspozuar një miting të tillë në prag të fushatës me sebepin e NATO-s, ajo synon të ngrejë moralin e saj të rrënuar nga skandalet, korrupsioni dhe konflikti real me kancelaritë perëndimore në prag të fushatës.
Njësoj si mitingu i Berishës, dhe mitingu i Ramës nuk kishte objekt NATO-n, por përdorimin e kësaj ngjarjeje për të demonstruar politikisht. Dhe koncerti i tij, po ashtu mbi normalen e mitingjeve socialiste, nuk demonstron mbështetjen elektorale për Edi Ramën, por spontanitetin e njerëzve që tërheq thirrja e tij. Deri këtu gjithçka është në rregull. Pas provave gjenerale, tashmë kampet do të hyjnë në fushatë dhe në fushata të tilla elektorale si kjo e sivjetmja, gjithçka përkthehet në imazh dhe lidership. Kjo fushatë nuk ka më garë personale kandidatësh, as përkujdesje zonale prej tyre. Kjo fushatë ka përballje imazhi dhe është mirë që secila palë të bëjë atë që di të bëjë më mirë.