E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Nishani heq shulat dhe gjilpërat nga armet e Leka Zogut



Habjon Hasani
Tashmë familjes mbretërore i duhet një leje speciale nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë nëse vendos të ndërrojë rezidencë. Kur të marrë me vete koleksionin e armëve, duhet patjetër një autorizim special për zhvendosjen. Pas vendimit të qeverisë për kthimin e armëve familjes mbretërore, duket se udhëzimi i ministrit Nishani i ka reduktuar në maksimum të drejtat e familjes mbi këtë koleksion të çmuar. Madje, pjesës më të madhe të armëve do t’i hiqet shuli dhe gjilpëra duke i kthyer ato në “relikte” vetëm për ekspozim, ndonëse shumë prej armëve të koleksionit janë ende të vlefshme, sidomos ato të gjahut. Por udhëzimi i ministrit përcakton dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm për inventarizimin dhe monitorimin e kontrollit të këtyre armëve, ndërsa tashmë familja mbretërore duhet të paguajë dhe shërbimin e një policie private enkas për ruajtjen e këtij koleksioni. Ky udhëzim kërkon që edhe pjesët e çmontuara të armëve të mbahen në vende shumë të sigurta e në kasaforta speciale, të cilat do të jenë nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtorisë së Policisë.
Armët e mbretit
Pas rreth gjashtë vitesh, pretendenti i fronit mbretëror, Leka Zogu I, do të ketë mundësinë që të mbajë sërish pranë vetes koleksionin e armëve të zjarrit. Koleksioni, i cili i është sekuestruar Zogut nga strukturat e shtetit kur mbërriti në Tiranë së bashku me familjen në vitin 2002, tashmë do t'i rikthehet. Për këtë qëllim qeveria hartoi katër muaj më parë një projektvendim të posaçëm “Për mënyrën e trajtimit të koleksionit të armëve të zjarrit të ish-familjes mbretërore", i cili përmban nëntë pika dhe i njeh të drejtën ish-familjes mbretërore ta mbajnë këtë koleksion. "Trashëgimtarët e familjes së mbretit Zog kanë të drejtën të mbajnë në mjediset e vendbanimit të përhershëm, koleksionin privat të armëve (të lehta) të zjarrit, por pa municion, sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe rregullave të përcaktuara në këtë vendim", - thuhet në pikën e parë të tij. Por, pavarësisht se i jep sërish të drejtën ish-familjes mbretërore për të mbajtur koleksionin e armëve të zjarrit, qeveria vendosi rregulla të përcaktuara qartë dhe një sërë masash sigurie. Ky koleksion, përpara se të dorëzohet, do të regjistrohet dhe më pas të mbahet, në vazhdimësi, i inventarizuar në llogari të veçantë nga strukturat e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, elementë të koleksionit, të cilësuara nga komisioni i përhershëm i objekteve të trashëgimisë kulturore si objekte të kësaj trashëgimie, do të regjistrohen dhe pajisen me pasaportë nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Armë “të ftohta”
Për ruajtjen dhe magazinimin e koleksionit, thuhet më tej në projektvendim, trashëgimtarët e ish-familjes mbretërore janë të detyruar të lidhin kontratë me një shoqëri të ruajtjes dhe të sigurisë fizike, të licencuar. "Lëvizja e koleksionit të armëve, për arsye të ndryshme, jashtë mjediseve të ruajtjes së përhershme, të bëhet me leje të Policisë së Shtetit. Ndërsa për lëvizjen e objekteve, të cilësuara si Objekte të Trashëgimisë Kulturore, jashtë mjediseve të ruajtjes së përhershme, para lejes nga Policia e Shtetit duhet të merret leja nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve",- thuhet në rregullore. Nga ana tjetër, aty përcaktohet se për parandalimin e cenimit të rëndë të rendit dhe të sigurisë publike, apo në rastet kur vërehet mosplotësimi i kushteve dhe i rregullave për ruajtjen dhe administrimin e sigurt të koleksionit, Policia e Shtetit merr në ruajtje koleksionin deri në rregullimin e kushteve dhe të situatës. Ajo që të bën përshtypje në udhëzimin e ministrit Nishani është fakti se përveçse armët “janë ftohur”, ato do të mbahen të regjistruara në një inventar dhe regjistër special, i cili do të verifikohet çdo muaj. Ndër të tjera, ky koleksion do të lejohet të vizitohet nga kureshtarët dhe të pasionuarit, por ama asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk do të ketë asnjëherë të drejtën të shkrepë apo të mbajë me vete ndonjërën prej tyre.

Familja mbretërore solli 11 arka me armë nga Johanesburgu

Mbërritja në Tiranë e familjes mbretërore më 28 qershor të vitit 2002 u shoqërua me një ngjarje të veçantë. Në Rinas u bllokuan rreth 11 arka, që ishin pronë e familjes mbretërore. Fillimisht askush nuk u kushtoi rëndësi deri në momentin që media publikoi se Prokuroria ka vënë në sekuestro 11 arka me armë të familjes mbretërore. Me rikthimin në atdhe për herë të tretë të Leka Zogut, familja pësoi një goditje pas lajmit se atij i ishte bllokuar një arsenal i tërë luftarak në aeroport. Leka reagoi menjëherë duke deklaruar se armët e kapura në Rinas nuk ishin gjë tjetër veçse një koleksion personal i tij, i përbërë kryesisht nga armë trofe si dhe armë që ai i kishte blerë në ankande të ndryshme në disa vende të botës. Arkat kishin përsipër vulën e Johanesburgut, kryeqytetit afrikano-jugor, ku Leka qëndroi për 20 vite me radhë, para se të kthehej në atdhe, pas 63 vitesh mërgimi. Nga inventari që iu bë arsenalit luftarak që kishte me vete Leka, rezultoi se ishin 100 armë dhe municione të ndryshme, ku binin në sy një granatë-hedhës, një kundërtank dhe një murtajë. Në koleksionin e tij Leka kishte armë të lehta, si pistoleta të modeleve të ndryshme, armë gjahu, pushkë të këmbësorisë, pushkë të precizonit të lartë të pajisura me afrues optik. Në këtë arsenal luftarak bënte pjesë dhe një automatik "Kallashnikov", prodhimi i parë i kësaj arme, i blerë në Vietnam. Armët e sekuestruara nga policia i kaluan prokurorisë, e cila filloi çështjen hetimore. Fillimisht u deklarua se Lekës do t'i ktheheshin vetëm disa armë të lehta, kryesisht pistoleta dhe armë gjahu, ndërsa pjesa tjetër do të konfiskohej dhe do të vendosej në një muze të veçantë, por nuk iu kthyen vetëm pak prej tyre.

Koleksioni, trashëgimi kulturore

Projektvendimi i qeverisë e përcakton koleksionin e familjes mbretërore si trashëgimi e veçantë kulturore dhe detyron që të ruhet si e tillë. Armët me vlera historike e kulturore, armët e ftohta dhe të zjarrit, të prodhimit artizanal ose të fabrikuara përpara fillimit të Luftës së Dytë Botërore si dhe objektet personale të ish-mbretit Zog, që janë në pronësi të trashëgimtarëve të tij, konsiderohen objekte të trashëgimisë kulturore dhe do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, e cila lëshon pasaportën e objektit në bazë të të dhënave të objekteve. Një vendim i tillë ka marrë edhe pëlqimin e vetë familjes mbretërore, e cila ka insistuar gjithnjë se bëhej fjalë për një koleksion historik më tepër se për një arsenal armësh. Sipas projektvendimit, trashëgimtarëve të familjes së ish-mbretit Zog I, iu rikthehet koleksioni i armëve për të cilat parashikohet një procedurë e veçantë në përfundim të së cilës armët që përbëjnë koleksionin do të cilësohen si trashëgimi kulturore. Vendimi parashikon njëkohësisht që të gjitha armët dhe municionet të nxirren jashtë pune, pra të mos jenë në gjendje të efektshme, duke u konsideruar vetëm si armë relikte. Njëkohësisht, për çdo shitje apo dhuratë, familja mbretërore duhet të marrë edhe pasaportën e Drejtorisë së Inventarizimit të këtyre objekteve.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›