E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenët e "SCT" hedhin në det "male" me inerte

Nga Artur Korriku
Mjetet e gërmimit të kompanisë sllovene "SCT", po krijojnë male me inerte në buzë të ujit, duke neglizhuar groposjen e tyre në vendet e caktuara. Përveç pasojave në mjedis, hedhja e inerteve në det ndot ujërat 

DURRES- Mjetet e gërmimit të kompanisë sllovene "SCT", e cila ka fituar tenderin për rikonstruksionin e sheshit të trageteve në portin e Durrësit, po krijojnë male me inerte në buzë të ujit, duke neglizhuar groposjen e tyre në vendet e caktuara. Depozitimi i mbeturinave inerte në det, sipas burimeve për Gazetën pranë drejtuesve të Portit, është realizuar pa siguruar lejen mjedisore nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe si rezultat është dëmtuar hapësira detare që ligjërisht i përket plazhit të Durrësit. Njëkohësisht, përveç pasojave në mjedis, hedhja e inerteve në det ndot ujërat dhe shkatërron sipërfaqe nga më të preferuarat për banorët e pushuesit. Ndërkohë, kamionë të ngarkuar me mbeturina inerte, çdo ditë shkarkohen në det në pjesën lindore të territorit. Mali me mbetje të ngurta ka krijuar një shtrat të gjerë përtej rrethimit të portit. Burime nga APD-ja thonë se depozitimi i mbetjeve inerte në det po kryhet në funksion të zgjerimit të portit detar në pjesën lindore të tij. Por për këtë projekt nuk është marrë leje në Bashkinë e qytetit të Durrësit, ashtu sikurse e përmban ligji.
INERTET NE DET
Tej rrethimit të portit detar, përgjatë kalatës së përpunimit të anijeve të karburanteve ka ditë që depozitohen kamionë të tërë me mbeturina inerte duke nisur nga dherat, copat e betonit, pilotat deri te elementët e qendrave të zjarrit. Pjesa më e madhe e kësaj mase inertesh është nxjerrë nga punimet që po kryhen në terminalin e trageteve. Si rezultat i depozitimit të tyre në ujëra, është krijuar një shtrat rreth 15 i gjerë dhe 100 m i gjatë, i cili po përparon thellë në det jo vetëm duke e pushtuar dhe ndotur atë, por edhe duke i marrë një sipërfaqe të madhe detare plazhit të Durrësit. Disa ditë më parë, i pyetur për vendin e depozitimit të mbetjeve inerte të cilat janë krijuar gjatë punimeve në sheshin e trageteve, drejtori i portit, Eduart Ndreu sqaroi se "ato do të depozitohen përkohësisht në pjesën e pasme të kalatës lindore, me leje të lëshuar nga Ministria e Mjedisit". Por e vërteta nuk qëndron kështu, pasi këto male me mbeturina përfundojnë direkt në det, duke krijuar një dëm ekologjik mjaft të madh. Nuk dihet nëse Ministria e Mjedisit është në dijeni të asaj që po ngjet në ujërat e Adriatikut e pikërisht në pjesën që kufizohet me territorin e portit detar.
ABUZIMET
Duket se këtë rast e kanë shfrytëzuar edhe ndërtues të tjerë në Durrës, të cilët kanë gjetur një mundësi për të depozituar mbetjet e tyre të krijuara gjatë punimeve për ngritjen e pallateve. Edhe ata i kanë shkarkuar mbetjet e tyre në këtë pjesë të bregdetit. Në këtë mënyrë, përgjatë bregut të detit është ndërhyrë për herë të tretë në mënyrë brutale duke pushtuar sipërfaqe të tëra uji, sikurse ka ngjarë me bregdetin e Currilave, me atë pas kullave binjake dhe së fundmi në pjesën lindore të bregut të detit. Në port, jashtë diktofonave, specialistë të tij thonë se një masë e tillë për depozitimin e mbeturinave në det i shërben zgjerimit të portit detar. Por për një projekt të tillë madhor, institucionet përkatëse nuk kanë bërë asnjë njoftim në rrugë zyrtare dhe për më tepër në Bashkinë e Durrësit nuk është depozituar asnjë kërkesë për leje ndërtimi, ashtu sikurse e përmban edhe ligji.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›