E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PDR shkrihen në një parti të vetme

Dje është zyrtarizuar bashkimi i plotë mes Partisë Demokratike dhe Partisë Demokrate të Re, nga ku ka nisur dhe procesi i shkrirjes së strukturave midis tyre në qendër dhe në bazë, çka do të thotë ndër të tjera se PDR nuk do të ekzistojë më si subjekt politik më vete.
Shkrirja e PDR-së me PD-në, e bën Partinë Demokratike më të fortë dhe më të përgatitur për fushatën elektorale, e cila do tu paraprijë zgjedhjet parlamentare të viti 2009.
Kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht Kryeministër i vendit, zoti Sali Berisha dhe Kryetari i PDR-së Genc Pollo, njëkohësisht zëvendëskryeministër shpallën nëpërmjet një deklarate të përbashkët për median, nisjen e procesit të bashkimit të plotë të dy partive. Bashkimi do të shtrihet në të gjitha strukturat e partive që nga degët, organizatat mbështetëse e deri në forumet qëndrore të partisë.

Sali Berisha
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Sali Berisha komentoi këtë zhvillim të ri.
“Mendoj se ky ishte lajmi që presin anëtarësia, simpatizantët, por edhe mbarë shqiptarët. Shkrirja, bashkimi i këtyre dy forcave politike ka në bazë kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët, vizion që në Shqipëri faktohet si një vizion i madh suksesi, faktohet me hapat e mëdha në drejtim të integrimit të vendit në NATO dhe në BE, faktohet me arritjet e mëdha në konsolidimin e normave dhe standardeve demokratike , lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, faktohet me funksionimin gjithnjë e më të mirë të lirisë tregut, ekonomisë së tregut, faktohet me masën sociale apo në atë që kemi quajtur qeveri e shërbimeve dhe shërbesave”.
Për sa i përket këtij bashkimi, Berisha siguroi se këtë e mirëpresin, jo vetëm anëtarësitë e partive por gjithë qytetarët shqiptarë.
“Këtë lajm e mirëpresin jo vetëm e djathta dhe qendra e djathtë shqiptare, por do të thosha e mirëpresin mbarë qytetarët shqiptarë. Ky lajm është thellësisht i mirëpritur nga të gjitha partitë simotra që qeverisin sot në 16 vende anëtare të BE-së, ishte pikërisht ky lajm që kryesia e Partisë Popullore Evropiane priste nga partitë tona”.
Berisha ka bërë të ditur më tej se ky bashkim do ti shërbejë fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Natyrisht nuk mund të injorohet se si vit elektoral që është përbën kjo një prerogativë shumë të rëndësishme gjithashtu edhe për suksesin në zgjedhjet e ardhshme për koalicionin aktual qeverisës”, përfundoi Berisha.

Genc Pollo
Për kreun e PDR, bashkimi mundësohet nga kapërcimi i pengesave të vitit 1999 -2001.
“Sot fillojmë zyrtarisht procesin e fuzionit midis dy partive tona . Këtë e bëjmë sepse divergjencat e vitit 1999-2001 është një periudhë e lënë pas është një kapitull i mbyllur . Bashkëpunimi i filluar pas 2001 dhe sidomos fazat e tij të bashkëpunimit elektoral të aleancave parazgjedhore në 2005, koalicioni politik qeveritar në tre vitet e tij ka dëshmuar një qëndrueshmëri shumë të fortë, ka realizuar një pikëpamje që gjithmonë kanë qenë të përbashkëta për partitë tona, kanë kryer reforma që për në opinionin publik dhe në opinionin e komunitetit ndërkombëtar konsiderohen të suksesshme me benefite imediate për popullsinë por edhe me benefite afatmesme dhe afatgjata për Shqipërinë dhe meqenëse në këtë kuadër këto dallime që mund të kenë ekzistuar më përpara nuk janë më si të tilla duke qenë se konteksti politik ka ndryshuar, por edhe aktorët politikë, sepse partitë tona kanë evoluar në vitet e fundit është më se normale që të konsiderojmë seriozisht funksionimin dhe ta konsiderojmë atë”, dkelaori Pollo.
Lidhur me iniciativën për këtë bashkim, kreu u PDR, nuk e ka fshehur se këtë iniciativë e ndërmori kreu i PD-së Sali Berisha.
“Ka qenë një propozim i kryetarit të PD-së para disa muajsh. Jemi këtu për ta konfirmuar dhe për të hapur procesin e fuzionimit të dy partive një proces që është përshëndetur përkrahur ndoshta dhe asistuar edhe nga PPE ku dy partitë tona aderojnë, të cilat janë anëtare të Partisë Popullore Evropiane. Është një proces që përfshin tërë partitë duke filluar që nga degët e rretheve dhe degët tona do të bashkëpunojnë sipas një programi të rënë dakord për të arritur shkrirjen në atë nivel dhe për të vazhduar më tej. Ky proces do të mbyllet në fillimet e vitit 2009 dhe mendoj se është një proces pozitiv politik që do të jetë një kontribuues më shumë edhe për suksesin e koalicionit të mazhorancës së sotme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009”, përfundoi Pollo.

MARREVESHJA
Tiranë, më 29 tetor 2008

PD dhe PDR, nisin procesin e bashkimit

Sot ne jemi këtu për të shpallur fillimin e procesit të bashkimit të plotë të dy partive tona.
Ky është një proces, i cili vjen natyrshëm pas një periudhe të gjatë bashkëpunimi mes dy partive, por edhe mbi përkatësinë tonë të njëjtë ideologjike dhe nga interesat dhe synime të përbashkëta politike.
Shkrirja e dy partive në një nuk është qëllim në vetvete, por ka në thelbin e vet synimin për të kontribuar në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009 dhe në vazhdim.
Procesi i bashkimit është duke u realizuar në bashkëpunim të plotë me Partinë Popullore Evropiane, ku të dyja partitë janë anëtare.
Bashkimi do të shtrihet në të gjitha strukturat e partive:, që nga degët, organizatat mbështetëse, (Forumet Rinore dhe Forumet e Gruas) e deri në forumet qendrore drejtuese.
Anëtarësisë së dy partive do u njihet automatikisht vjetërsia e jetës së mëparshme në formacionet politike respektive.
Në funksion të bashkimit, degët në të gjitha rrethet do të nisin menjëherë shkrirjet e tyre, proces i cili shkon paralelisht me zgjedhjet e reja në parti, që do të përgatisin forcën tonë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.
Kryetarët dhe kryesitë e çdo dege si dhe drejtuesit e organizatave mbështetëse do të udhëheqin të gjithë procesin e bashkimit.
Procesi i bashkimit në të gjitha nivelet quhet i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti, të cilat parashikohen që të kryhen brenda tremujorit të parë të vitit 2009.
Gjatë kësaj periudhe, deri në bashkimin e plotë, të gjitha strukturat e të dy partive do të bashkëpunojnë ngushtësisht për realizimin e kësaj nisme dhe për të gjitha aktivitetet e tjera partiake.
Ky proces do të ndiqet në të gjitha nivelet nga një grup pune i përbashkët i drejtuar nga nënkryetarët dhe njëkohësisht kryetarëve të grupeve parlamentare të dy partive, Astrit Patozi dhe Tritan Shehu.
Ky grup është i ngarkuar që të përcaktojë gjithashtu edhe të gjitha detajet e tjera teknike dhe numerike që lidhen me bashkimin si dhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet në parti dhe me çështje të zgjedhjeve të ardhshme politike.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›