Ristani rikonfirmon Fletet do digjen

Në një intervistë për “VOA”, Ristani është shprehur se ngërci politik ka penguar punën e KQZ-së, por ka nënvizuar se me asgjesimin e fletëve të votimit procedurat do të zhbllokohen.
“Me daljen e dekretit të presidentit në shtator të vitit të kaluar, KQZ nisi punën për organizimin e zgjedhjeve lokale. Konflikti politik për kutitë na detyroi t’i shtymë disa nga fazat e përgatitjeve dhe jemi paksa të vonuar. Megjithatë, kemi gati buxhetin pas vendimit për kutitë dhe besoj se brenda 10 janarit do ta mbyllim këtë fazë”, ka pohuar Ristani.
Sipas tij, në mbledhjen ku u vendos djegia e fletëve të votimit, komisionerët u influencuan nga politika dhe jo nga profesionaliteti i tyre.
“Mbledhja ishte tërësisht ligjore, por që nuk i shpëtoi dot reflektimit politik. Ne vërtet jemi zgjedhur nga politika, por jemi zgjedhur si profesionistë të pavarur dhe nuk kemi lidhje me të”, është shprehur Ristani.
Megjithatë, ai ka nënvizuar se konsensusi politik është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e proceseve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Ne menaxhuam me konsensus zgjedhjet e kaluara sepse edhe vetë politika kishte konsensus. Politika punoi mirë në menaxhimin e zgjedhjeve të kaluara dhe shpresoj të jenë të ndërgjegjshëm dhe të na ndihmojnë me konsensusin e tyre në zgjedhjet që presim”, ka nënvizuar Ristani.
“Nëse konflikti do vijojë, do reflektojë edhe në punën tonë. Fletët dhe kundërfletët janë asgjesuar me djegie sepse kështu thotë ligji, ndërsa materialet e tjera shkojnë në arkivën e shtetit”, ka shtuar ai.