E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daja: “Dinamo, në lojë për trofetë”



Kampionia në fuqi, Dinamo, zhvilloi stërvitjen e parë nën urdhrat e trajnerit të dytë sezonal të saj, Ilir Dajës, edhe pse tekniku që i ndihmoi blutë të fitonin titullin e 17-të të tyre në sezonin 2008-2009 kishte vetëm pjesën shqiptare të lojtarëve. Ilir Daja mori drejtimin e një “makine gjigante” si Dinamo pas dështimit të argjentinasit Luis Manuel Blanko. Për Dajën, ambienti blu dhe lojtarët nuk janë të panjohur, pasi jo bëhet fjalë për një rikthim, por trajneri aktualisht kryen edhe detyrën e drejtorit teknik. “Vështirësitë janë pjesë e punës së trajnerëve. Duhet një përqendrimi dhe një motivim më i madh, për të fituar edhe kohën e duhur dhe të marrim rezultatet që kërkojmë”, - tha Daja në intervistën e tij të parë.

Daja, urime në detyrën e re të trajnerit. A është e vështirë për t’u rikthyer Dinamo në ato objektiva që kërkon presidenca?
Duke parë gjendjen në tabelën e klasifikimit, sigurisht që nuk ndodhemi në një pozicion të favorshëm. Duke u nisur dhe nga fakti, që në 6-7 javët e fundit, ekipi nuk ka prodhuar atë që pritej, si në lojë ashtu dhe në rezultat, po të nisesh nga ky këndvështrim, duke parë dhe hapësirën e gjatë që nga 23 dhjetori i vitit të kaluar dhe deri në datën 7 janar, kur do të mblidhet komplet grupi, bashkë me lojtarët e huaj, do të thotë që vështirësitë janë të mëdha. Sidoqoftë, vështirësitë janë pjesë e punës së trajnerëve. Duhet një përqendrimi dhe një motivim më i madh, për të fituar edhe kohën e duhur dhe të marrim rezultatet që kërkojmë.

Dinamo e nis punën me boshllëqe, duke pasur parasysh edhe largimet, Muzakën te Skënderbeu, Sefën te Besa dhe Hidin në Qipro. Duket se Dinamo është një ekip i paplotësuar.
Në fakt, unë kam qenë pjesë e Dinamos edhe në pozicionin e drejtorit teknik dhe bashkë me drejtuesit e klubit kemi biseduar për moslargimin e këtyre lojtarëve, pasi të gjithë i njohim vlerat e tyre, por që të paktën më është konfirmuar nga drejtuesit e klubit që do të plotësohen me lojtarë të tjerë. Sigurisht, që është e vështirë, pasi është një periudhë merkatoje dhe në Shqipëri nuk ke shumë hapësira për të marrë lojtarët që bëjnë diferencë në kampionatin tonë. Në merkato do të jemi shumë të kujdesshëm.

Ardhja e Mlladen Bërkiçit sa do ta plotësojë largimin e Fatjon Sefës?
Kam një natyrë, që nuk mund të shprehem pa e parë lojtarin gjatë stërvitjeve dhe të integruar si pjesë e grupit, për të parë dhe çfarë vlerash ka. Sigurisht, Bërkiç është një lojtar që në kampionatin shqiptar di të sillet si sulmues i mirëfilltë.

Nga katër skuadrat që Dinamo ka sipër në renditje, Flamurtari, Skënderbeu, Vllaznia dhe Tirana, kë llogarisni si kundërshtarin më të rrezikshëm?
Në fakt, si objektiv afatshkurtër kemi rikuperimin e gjendjes në tabelën e klasifikimit dhe pastaj të shohim kush do të jenë rivalët direkt. Ndërsa për llogaritur si kundërshtar, e kam në natyrë të llogaris çdo kundërshtar të javës përkatëse me të cilin do të përballem.

A ju ka vendosur ndonjë mision presidenti në drejtimin e kësaj Dinamoje, titullin apo vendin e dytë?
Dinamo, dihet që është një ekip që lufton për titujt.

Dakord, por tashmë nuk është fillimi i kampionatit, por ka mbaruar thuajse gjysma e tij.
Natyrshëm që dhe titulli kampion është një objektiv, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Aktualisht kemi nëntë pikë diferencë me vendin e parë dhe ndoshta do të ishte eufori titulli, por kjo nuk do të thotë, që duke parë sesi do të zhvillohet situata të mos futemi dhe ne në luftë për titullin. Ky objektiv do të vendoset më përfundimin e merkatos së janarit, kur gjithë grupi do të marrë formë e të mësojmë se kush do të jetë kontingjenti i plotë i Dinamos që do të përballojë pjesën e mbetur të kampionatit. Gjithsesi, në lojë është dhe Kupa e Shqipërisë.

Çfarë përforcimesh keni kërkuar?
Kam kërkuar një sulmues për vetë ikjen e Sefës, por dhe një lojtar mbrojtës. Jo se Dinamo nuk ka lojtarë mbrojtës, por rritja e rivalitetit brenda grupit është një nga elementët kryesorë për të pasur rezultate.

Në lidhje me të ardhmen e Elis Bakajt?
Bakaj nuk do të lëvizë nga Dinamo. Unë kam këmbëngulur për këtë si trajner dhe kam folur edhe me drejtuesit e klubit. Nëse Bakajt do t’i ofrohej një kontratë shumë e mirë dhe një perspektivë si lojtar jashtë Shqipërisë, edhe unë, edhe pse dihet që ai është lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar, i votuar së fundi (nga trajnerët dhe kapitenët e ekipeve të Superligës), dhe unë personalisht nuk do ta pengoja largimin e tij. Problemi është se ai na hap një gropë shumë të madhe pas largimeve dhe të Muzakës dhe te Sefës.

NË HISTORI

Ilir Daja është trajneri që u dha bluve titullin e 17-të, atë sezonin 2007-2008. Tre titujt e fundit të Dinamos në dhjetë vitet e fundit – ato me numër 16, 17 dhe 18 – kanë për autorë trajnerë shqiptarë (ashtu si dhe 15 të parët): Faruk Sejdinin (2001-2002), Ilir Dajën (2007-2008, në bashkëpunim dhe me Agim Canajn) dhe Shkëlqim Muçën (2009-2010).

EKIPI I SHTATË
Dinamo është ekipi i shtatë i Superligës që do të drejtohet këtë sezon nga një trajner i dytë. Gjashtë ekipet e tjera janë Shkumbini, Vllaznia, Bylis, Tirana, Besa dhe Elbasani.

TRAJNERËT ME TITUJ
Ilir Daja do të jetë trajneri i katërt në këtë sezon që ka fituar të paktën një titull kampion, - në fakt Iliri ka fituar dy të tillë, me Elbasanin (2005-2006) dhe Dinamon (2007-2008). Tre të tjerët janë, Shkëlqim Muça i Skënderbeut (4 tituj kampion: 3 me Tiranën, 1 me Dinamon) dhe Mirel Josa i Vllaznisë (1 trofe me Tiranën), si dhe ish-trajneri i Tiranës, Sulejman Starova, i cili ka fituar 2 tituj: 1 me Partizanin (1992-1993) dhe 1 me Tiranën (2004-2005).

DERBI I DEBUTUESVE

Në vitin 2011 do të bëjnë debutimin e tyre dy trajnerë të rinj: Ilir Daja i Dinamos dhe boshnjaku Esad Karishik i Elbasanit. Fati, pra java e 17-të, i ka vendosur këta trajnerë përballë njëri-tjetrit në “Ruzhdi Bizhuta”.

RIKTHIMI I MADH

Si për ironi të fatit, Ilir Daja është trajneri i dytë që i ka dhënë Elbasanit një titull kampion, atë të sezonit 2005-2006, ndërsa trajneri tjetër është Frederik Jorgaqi në sezonin 1983-1984, atëherë kur Elbasani quhej “Labinoti”.

Pista “Sivaspor”, ende pezull për Bakajn

Edhe pse u fol shumë për një kalim te Sivaspori turk të sulmuesit Elis Bakaj, i votuar së fundi edhe si lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar për vitin 2010, ende nuk ka ndonjë zhvillim të ri. Lojtari i Kombëtares shqiptare, i cili e fitoi për herë të dytë çmimin prestigjioz, ishte në stërvitje me Dinamon. Vetë lojtari, i pyetur për ndonjë mundësi transferimi në Turqi, pohoi se çdo gjë ka mbetur në dorën e drejtuesve të dy klubeve, por mesa mësohet nga burime të brendshme, pika kyçe ka të bëjë me anën financiare, pasi presidenca blu nuk e lëshon lojtarin pa marrë si kompensim një shumë të pranueshme për vlerat cilësore të Elisit. Duhet të kujtojmë se Bakaj u ble 100 mijë euro nga Partizani në janar të vitit 2009. Bakaj është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Dinamos. Në 16 javët e parë ai ka shënuar 8 gola. Trajneri Daja tha se ai kishte këmbëngulur që Bakaj të mos largohet.

Vishet blu dhe Mlladen Bërkiç

Sot, Daja do të ketë në dispozicion edhe ish-sulmuesin serb të Skënderbeut, Mlladen Bërkiç, të ardhur në formë huazimi si pjesë e marrëvëshjes së këmbimit Muzaka-Bërkiç. Në fakt, Bërkiç e ka veshur edhe një herë tjetër fanellën blu, kur luajti si i huazuar në Ligën e Europës kundër finlandezëve të Lahtit, në eliminatoret e sezonit 2009-2010. Të huajt e tjerë, përveç argjentinasit Garsia, do të mbërrijnë pas disa ditësh në klubin blu. Kështu nën urdhrat e Dajës do të jënë si sulmuesi argjentinas Nestor Martinena dhe mbrojtësi Lukas Malarkane, por dhe serbi Marko Putinçanin e dy afrikanët, gabonezi Ambouret dhe nigeriani Orelesi.

LARGIMET

Përfundimisht nga Dinamo, e cila bëri një pjesë të parë sezoni jo në nivelin që pritej, janë larguar mesfushori Gjergji Muzaka, i huazuar te Skënderbeu; sulmuesi Fatjon Sefa, i sistemuar te Besa dhe portieri Isli Hidi, drejt Qipros, në aventurën e tij të dytë në Ishullin e Afërditës.

STAFI BLU
Në ditën e parë të punës, Ilir Daja, i cili ka kryer detyrën e drejtorit teknik dhe të Akademisë së Dinamos, pati si ndihmës Artan Mërgjyshin, ndërkohë që në rolin e përgatitësit atletik, ishte i mirënjohuri Vaso Selenica.

5 Janar 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›