E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Prioritetet e METE-s për 2011, rekomandimet e BE



Ervin KOÇI

Lëvizja e lirë e mallrave dhe rritja e mbikëqyrjes së tregjeve do të jenë dy nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet puna e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë këtij viti. Kjo bazuar dhe në rekomandimet që ka bërë vetë BE në progres raportin e vendit tonë. Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim dje me të gjithë drejtuesit e dikasterit të tij dhe institucioneve në varësi, ku ka prezantuar prioritetet për punën këtë vit. “Progres raporti ka vlerësuar si mjaft pozitive përpjekjet që ka bërë Shqipëria për transpozimin e kuadrit rregullator, si p.sh. për akreditimin, metrologjinë dhe standardizimin por njëkohësisht theksohet se mbetet ende shumë për të bërë, për plotësimin e shumë detyrimeve të tjera të rëndësishme të vendit tonë për lëvizjen e lirë të mallrave”- deklaroi Meta. Ministri ka theksuar se, në fokus do të jenë rekomandimet që ka bërë BE-ja në Progres-Raportin për vendin tonë.

Progres-Raporti
Raporti i Komisonit Europian do të jetë baza e punës që Ministria e Ekonomisë do të ndjekë për këtë vit. Ministri Meta, deklaroi se, kjo ministri i ka punuar seriozisht për plotësimin e pyetësorit që i takon. Ndërkohë që përgjatë vitit 2011 plotësimi i kërkesave të bëra në Progres-Raportin e Komisionit Europian u përcaktua si baza e punës. Me gjithë vlerësimet e bëra për punën e METE-s, Meta deklaroi se, ka ende hapësira të cilat duhet që të plotësohen sa më parë dhe një ndër to është legjislacioni dhe kjo sidomos në fushën e energjisë dhe të hidrokarbureve. Gjatë analizës së hollësishme të Progres-Raportit të KE-së, Ilir Meta, kërkoi që grupet e ngritura për plotësimin e kapitujve që i takojnë kësaj ministrie. Sipas Metës, mbetet ende shumë për të bërë për plotësimin e shumë detyrimeve të tjera të rëndësishme si ajo për lëvizjen e lirë të mallrave, çka bën të nevojshme vënien në jetë të direktivave të tjera të ngritjes së institucioneve të mbikëqyrjes së tregut, dhe të harmonizimit të mëtejshëm të të gjithë legjislacionit e kuadrit rregullator brenda atij evropian. Më pas Meta ka renditur opinionin e KE-së për disa nga kapitujt e ndryshëm të legjislacionit ekonomik.

Energjetika
Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta ka deklaruar se qeveria shqiptare ka shënuar progres në sektorin e energjisë, duke marrë vlerësime edhe nga faktori ndërkombëtar. Duke folur në mbledhjen e drejtuar prej tij, Meta është shprehur se duhet ende punë në sektorë të tjerë, kryesisht tek kontrolli i tregut dhe mbrojtja e konsumatorit. “Vlerësohet progresi për energjinë, progres-raporti është profesional. Tani duhet një ligj për energjinë e rinovueshme. Ndërkohë, ka ende punë për lëvizjen e mallrave. Do ngrihen institucione për mbikëqyrjen e tregut, por duhen edhe institucione për mbrojtjen e konsumatorit”,- ka deklaruar Meta. Njëkohësisht numri dy i qeverisë ka shtuar më tej se në progres-raport vlerësohet strategjia për mbrojtjen e pronës.

Berisha prezanton drejtuesen e agjencisë “AIDA”

Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar dje drejtuesen e agjencisë së re shqiptare për investimet, “AIDA”. Në një konferencë për shtyp, Berisha ka deklaruar se kjo agjenci është ngritur pas konsultimeve intensive me ekspertë ndërkombëtarë. “Jemi konsultuar me ekspertët më të mirë të investimeve, të cilët kanë bërë një punë intensive në Shqipëri. Ata kanë studiuar të gjitha potencialet e Shqipërisë, burimet natyrore e njerëzore dhe arritën në përfundimin se Shqipërisë i mungon agjencia e përshtatshme për investimet dhe zhvillimin dhe se ajo duhej ngritur”,- ka deklaruar Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “AIDA” do të ketë një bord të sajin, që do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, ekspertë të fushës së investimeve, si dhe të biznesit privat. “Shqipëria kishte nevojë për një agjenci që udhëhiqet nga një bord, ku vendimmarrësit kryesorë të jenë përfaqësues të biznesit privat. Në krye të saj parashikohet të jetë kryeministri, pas të cilit do të vijë zëvendëskryeministri. Ndërsa drejtori ekzekutiv i bordit është propozuar Eneida Guria, e cila do ta shndërrojë këtë agjenci në një histori të dytë suksesi”,- ka pohuar Berisha.
Kryeministri ka shtuar më tej se një prioritet i “AIDA”-s përveç investimeve do të jenë edhe eksportet. Sipas kryeministrit, për ngritjen e AIDA-s qeveria gjatë dy viteve ka kontaktuar me ekspertët ndërkombëtarë më të mirë në Europë dhe botë në fushën e investimeve të huaja. "Ekspertët kanë studiuar të gjitha potencialet e mëdha të Shqipërisë, burimet e saj natyrore dhe njerëzore, duke arritur në përfundimin se Shqipërisë i mungon Agjencia e përshtatshme për investimet dhe zhvillimin dhe se ajo duhej ngritur",- deklaroi Berisha. Sipas tij, AIDA do të ketë një bord të sajin, që do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë, ekspertë të fushës së investimeve, si dhe të biznesit privat.

Euroja përballë sfidave në vitin 2011

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë thonë se gjatë vitit 2011 duhet të forcojnë Euron në mënyrë që të garantohet uniteti i Evropës. 2010-a ishte një vit i vështirë për euron për shkak të krizës në disa ekonomi evropiane. Qeveritë u detyruan të bëjnë shkurtime dhe qytetarët u kundërpërgjigjën me demonstrata dhe greva. Më poshtë do të shohim se ç’parashikojnë analistët për Euron gjatë vitit në vazhdim. Gjatë vitit të kaluar, kudo në Evropë qytetarët shprehën zemërim për shkurtimet buxhetore, një masë kjo për të stabilizuar euron. Në Greqi nuk munguan përleshjet në rrugë me policinë, kur qeveria shpalli masa shtrënguese pas paketës së shpëtimit prej 145 miliard euro të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar. Demonstratat në Paris dhe Bruksel shënuan fillimin e një dimri pakënaqësish. Me gjithë trazirat, Kancelarja gjermane Angela Merkel, në mesazhin për Vitin e Ri shprehu mbështetjen e saj për euron. "Evropa e Bashkuara është garantuesi i paqes dhe i lirisë sonë. Euroja është baza e begatisë sonë. Gjermania ka nevojë për Evropën dhe për monedhën tonë të përbashkët”. Në fillim të vitit 2011, Estonia u bë vendi i 17 dhe e para ish republikë sovjetike që i bashkohet euros. Ekonomia e saj relativisht e vogël prej 19 miliard eurosh, nuk pritet të sjellë ndryshim të madh. Ekonomitë e dobëta evropiane ishin në qendër të vëmendjes së një samiti evropian në muajin dhjetor. Udhëheqësit ranë dakord të ndryshojnë traktatin që rregullon marrëdhëniet në BE dhe të ngrejnë një mekanizëm për përhershëm për zgjidhjen e çështjes së borxheve kombëtare. Por masat do të hyjnë në fuqi pas tre vjetësh. Analisti i tregut, Majkëll Hjuson thotë se kjo nuk ishte një zgjidhje. "Në vështrimin afatshkurtër, asgjë nuk është zgjidhur, pra problemet e borxhit do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2011”. Britania nuk është pjesë e eurozonës por ajo ndihmon në masat e shpëtimit financiar. Studentët britanikë e kanë bërë të qartë ku8ndërshtimin e tyre ndaj masave shtrënguese.
Ata dhe qytetarë të tjerë kudo në Evropë kanë shpallur se do të bëjnë demonstrata të tjera gjatë vitit 2011. Komentatori i çështjeve ekonomike, Hamish McRae thotë se qeverive do t’u duhet të bëjnë hapa të kujdesshme. "Çështja është se deri në çfarë shkalle mund të përdorësh pushtetin politik për të forcuar bashkimin ekonomik dhe anasjelltas. Të dyja këto duhet të jenë në unison”. Investitorët po vëzhgojnë për të parë se çfarë hapash ekonomikë do të bëjnë këtë vit udhëheqësit evropianë. Njëra alternativë është hedhja në treg e eurobondeve për ta shpërndarë rrezikun por ekonomi të tilla të forta si Gjermania dhe Franca janë kundër. Qytetarët e Gjermanisë vazhdojnë të paguajnë çmimin e shtrenjtë ribashkimit dhe janë të ndjeshëm ndaj kostos që do të kërkonte shpëtimi financiar i më tepër ekonomive të dobëta evropiane.

5 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›