E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Europian nis hetim për çekët e OSSH-së

TIRANE- Komisioni Europian ka nisur një hetim për kompanine ceke ‘CEZ AS’, e cila ka blerë dhe kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë elektrike. Hetimi ka të bëjë me manipulime dhe praktika të paligjshme që ka përdorur kjo kompani për të shmangur konkurencën në treg.
Megjithatë analistët thonë se ka mundësi që hetimi ndaj kompanisë më të madhe të energjisë në gjithë Europën qëndrore, do të rezultojë në një vendim pafajësie.
Gjithsesi hetimi do te fokusohet në faktin, nëse kompania ‘CEZ AS’ që kontrollohet 70% nga shteti cek, ka krijuar pengesa për konkurentët e tjerë në planet e tyre për të ndërtuar impiante energjie në tregun verior që kontrollohej nga kjo kompani.

Hetimi gjithashtu do të shqyrtojë nëse CEZ ka kufizuar dhe tregtinë e qymyrit, apo ka influencuar në cmimet e përgjithshme të shitjes së energjisë në tregun cek të elektricitetit. Rreth 30 inspektorë të Komisionit Europian kanë mbërritur në selinë e zyrave të CEZ dhe në gjithë degët e saj në kuadrin e nisjes së hetimit.
Kompania ceke CEZ ka privatizuar se fundi Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë në Shqipëri. Kjo kompani ofroi 128 milionë euro për 76 % të aksioneve të OSSH-së.
Investitori cek ka aplikuar në fund të shtatorit për rritje të cmimit të energjisë elektrike në masën 44%, me një shtrije kohore prej dy vjetësh. Kërkesa e CEZ është duke u shqyrtuar nga Enti Rregullator i Energjisë, ndërkohë që ky cmim është konsideruar i lartë, jo vetëm nga ekspertët e fushës, por edhe nga ministri i Energjetikes, Dritan Prifti.
Nëse CEZ shpallet fajtore për hetimin e mesipërm pritet që kompania të zhytet në vështirësi, pasi mund të gjobitet maksimumi me 10% të të ardhurave të saj, që mund të jenë deri në 1.05 miliardë dollarë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›