Komisioni Evropian propozon që Shqipëria të marrë statusin kandidat
Bruksel- Komisioni Evropian, përmes kreut të Zgjerimit Stefan Fyle i rekomanduan sot Këshillit të ministrave të BE-së që t’i japë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, pasi vlerësuan se janë përmbushur prioritetet kyçe të vendosura nga Brukseli.
Zoti Fyle tha se Shqipëria do të ketë një status të kushtëzuar, i bazuar në përmbushjen e detyrimeve të mbetura.
“Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm gjatë vitit të kaluar, veçanërisht sa i takon marrëveshjes ndërpartiake për integrimin.
Një sërë reformash në fushat e përcaktuara nga BE-ja, në këtë kuadër rekomandon t’i japë statusin e kandidatit me kushtin që të përfundojë reformat siç është ajo parlamentare që duhet rishikuar dhe Komisioni Evropian do të paraqesë sapo të jetë arritur progresin në këtë drejtim”,-tha Stefan Fyle duke shtuar se janë të gatshëm të ndihmojnë Ballkanin sidomos në sektorin e investimeve.
Sakaq ka mbërritur menjëherë edhe mesazhi i OSBE-së në Tiranë: “Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, nxiti sot politikanët shqiptarë të shtojnë përpjekjet e tyre për të punuar së bashku për të ardhmen e vendit.
‘Përpjekjet e përbashkëta të vijueshme nga të gjitha kampet politike mund ta çojnë vendin përpara, në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca e OSBE-së vijon të ofrojë mbështetje në këtë proces, bazuar në mandatin e saj”,tha Wollfarth.
Ai i bëri këto komente pas botimit të Raportit të Progresit për Shqipërinë për vitin 2012 nga Komisioni Evropian”,-njofton zyra për shtyp e OSBE-ë.
/IDEA/