E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Ndërministror i Integrimit diskuton përmbushjen e detyrimeve në kuadër të MSA-së

U mblodh sot nën drejtimin e Kryeministrit Berisha Komiteti Ndërministror i Integrimit ku u diskutua për detyrimet e përcaktuara nga Marrëveshja e Stabilizim Associmit, iniciativat që duhen përmbushur para Progres Raportit të Bashkimit Evropian dhe hapat e mëtejshme që duhet të ndërrmerren pas këtij Progres Raporti.
Në fillim të këtij takimi Kryeministri Berisha theksoi se një pjesë e mirë e detyrimeve të MSA-së janë realizuar ndërsa një pjesë tjetër janë në proces të zgjidhjes.

Janë realizuar Projektligji për Administratën gjyqësore, Ndryshimet në Kodin Penal, Miratimi i Strategjisë kundër Krimit të organizuar, Projektligji “Për profesionin e avokatit të popullit’, ‘Për ndihmën juridike”, “Për avokatinë e Shtetit” dhe “Për gjykimin e mosmarrëveshjes administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, “Për shërbimin Përmbarimor, gjyqësor, privat”, të cilat janë miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë. 

Ndërkohë janë ende në proces ndryshimi në ligjin për funksioninimin e Prokurorisë, venia në funksion të plotë të disa burgjeve në të cilat po investohet, projektligji “Për policinë e burgjeve”, ligji për Agjencinë e pagesave, ngritja e autoritetit portal, projektligji për shërbimet postare, përfundimi i rishikimit të ligjit minerar etj

Në fjalën e tij gjatë kësaj mbledhje Kryeministri Berisha u shpreh: 

Në mbledhjen e sotme do të shqyrtojmë detyrimet që kemi në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Shumë prej tyre fatmirësisht janë zgjidhur të tjerat janë në prag zgjidhje.
Më datën 5 gusht ne përcaktuam si detyra kryesore për të përmbushur gjatë muajit shtator projektligjin “Për administratën gjyqësore”, i cili ndodhet në parlament, për burgjet po investohet si në atë të Korçës, i cili ka përfunduar. Projektligji për shërbimet postare mungon, por dhënia e kompetencave të reja Entit Rregullator të Telekomunikacionit dhe Postave duhet të merret në konsideratë sepse është një shtysë në këtë drejtim. Ky projektligj do të hartohet në bashkëpunim të ngushtë me këtë institucion me ndihmën e Ministrisë së Transporteve.
Kodi Ajror është miratuar.  Projektligji minerar, i cili është një ligj i rëndësishëm po shqyrtohet me Bankën Botërore. Ndërkohë është miratuar 
Vendimi i Këshillit të Ministrave për Agjencinë e Pagesave, e cila është një agjenci shumë e rëndësishme. 
Ngritja e Aurotitetit Shtetëror Portual, ka përfunduar por Departamenti i Administratës Publike ka disa vërejtje, të cilat duhet t`i finalizojmë sa më shpejt dhe ta sjellim në qeveri.
 Projektligjet “Për profesionet e lira”, ‘Për ndihmën juridike”, “Për avokatinë e Shtetit” dhe “Për gjykimin e mosmarrëveshjes administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, “Për shërbimin Përmbarimor, gjyqësor, privat”,  u miratuan në mbledhjen e  sotme.
Projektligji “Për Policinë e Burgjeve” duhet të kalojë sa më shpejt. Miratimi i ligjit “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është një ligj që vendos një standard të ri të rëndësishëm. Gjithashtu është në proces “Strategjia ndërsektoriale e reforms në administratën publike”, Çështja e “Rojës Bregdetare” duhet të zgjidhet sipas modelit të kërkuar  nga Bashkimi Europian.
Besoj se me ligjet është ecur në përgjithësi mirë përveç ligjit të prokurorisë, i cili ka arsyet e veta që kërkon një procedurë më të  zgjatur. Ligjet e tjera kanë patur një ritëm të kënaqshëm, por që mund të ishte pak më i shpejtë.
 Ligji “Për urbanistikën” është një ligj mjaft i rëndësishëm dhe që kërkon një diskutim me pushtetin vendor. Ai duhet t`u dërgohet drejtuesve të pushtetit vendor ta shqyrtojnë dhe të shprehin vërejtjet e tyre. Për këtë mund të organizohet edhe një takim i hapur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›