Kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Gjermani
Kryeministri Sali Berisha, me ftesë të Kancelares gjermane Anxhela Merkel, do të zhvillojë më datë 8 tetor një vizitë zyrtare në Berlin, ku do të pritet në një takim me nderime ceremoniale në Kancelari. Gjatë takimit me Kancelaren Merkel do të diskutohen tema që lidhen me çështjet dypalëshe e ato rajonale, si dhe do të bisedohet anëtarësimi i ardhshëm i plotë i Shqipërisë në NATO dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me Bashkimin Europian.
Gjatë qëndrimit të tij, Kryeministri Berisha do të takohet edhe me Ministrin e Jashtëm Shtajnmajer, dhe do të ketë bisedime në Ministrinë e Ekonomisë. Në këto bisedime, një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet Konferencës që do të zhvillohet në Tiranë, në datat 20-22 tetor 2008, me përfaqësues të ekonomisë së të dy vendeve.
Në përfundim të vizitës të tij zyrtare, Kryeministri Berisha do të takohet në Berlin dhe në Esen, me përfaqësues të ekonomisë gjermane.