Komisioni ad hoc përcakton axhendën e punës
Komisioni parlamentar ad hoc nisi dje nga puna, duke zhvilluar mbledhjen e parë për zgjedhjet parlamentare të qershorit. Ngritja e komisionit u votua në Parlament në seancën e 12 marsit të këtij viti. Në mbledhjen e tij të parë me propozim të kryetarit Ilir Rusmali, është zgjedhur Arjan Madhi në postin e sekretarit të komisionit. Përfaqësues të partive politike, PS dhe PD, tha se në axhendën e punës së komisionit do të jetë marrja e informacioneve të vazhdueshme nga Komisioni i Zgjedhjeve dhe Ministria e Brendshme lidhur me administrimin e procesit zgjedhor dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Në ditët në vijim, sipas kryetarit Rusmali, do të zhvillohen seanca dëgjimore me përfaqësuesit e këtyre institucioneve. Ndërkohë zv.kryetari i komisionit ad hoc për zgjedhjet parlamentare të qershorit, Kastriot Islami, tha se puna e komisionit do të fokusohet te infrastruktura zgjedhore, por komisioni nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë infrastrukturë. Sipas Islamit, do të kërkohen informacione periodike nga Ministria e Brendshme dhe KQZ-ja për listat e votuesve, prodhimin dhe shpërndarjen e kartave, informacion nga gjendjet civile për numrin e personave që nuk kanë pasaportë etj. Ditën e premte, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme priten të raportojnë në komision për ecurinë e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit.