E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, 550 pronarët që marrin tapinë në Elbasan



Agjencia e Legalizimeve publikoi dje emrat e 550 personave që përfitojnë lejen e legalizimit në Elbasan. ALUIZNI u ka bërë thirrje pronarëve të tërheqin lejet e legalizimit si dhe të nisin nga pagesat e tarifave të legalizimit. Gazeta publikon sot emrat e fituesve në Elbasan. Ndërkohë, bëhet e ditur se ndarja e lejeve do të vazhdojë sot në Bashkinë Sarandë dhe në Gjirokastër. Agjencia e Legalizimeve ka bërë të ditur kalendarin e ndarjes së lejeve të legalizimit në të gjitha rrethet. Aktualisht, në mbarë vendin janë në proces përpunimi 134 341 dosje objektesh informale, ndërkohë që ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12 297 objekte informale, të cilat gjenden në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare nga qytetarët. ALUIZNI ka përmbyllur plotësimin e dosjeve dhe ka gati për pajisje me leje legalizimi 4 504 objekte, për të cilat qytetarët kanë shlyer detyrimet financiare. Legalizimi i këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit dhe pajisjes me tituj pronësie, brenda afateve të parashikuara në kuadrin ligjor. Miratimi i kalendarit të aktiviteteve për shpërndarjen e lejeve të legalizimit paraprihet nga një program masash për organizimin e aktiviteteve me këtë tematikë, në çdo qark të vendit, duke filluar nga dita e sotme deri në fund të javës së parë të muajit prill. Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t kanë plotësuar dokumentacionin e dosjeve të legalizimit për çdo objekt informal, si dhe kanë njoftuar qytetarët për shpërndarjen e lejeve të legalizimit sipas afateve të fiksuara në këtë kalendar. ALUIZNI, në vazhdimësi do të publikojë informacion në lidhje me ritmet e procesit të shpërndarjes së lejeve të legalizimit për objektet informale, të dhëna mbi detyrimet financiare të paguara nga qytetarët, ecurinë e regjistrimit të pasurive të legalizuara në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme etj.

Memia: Kredi me interes zero për të paguar tarifat e legalizimit

Kreu i Agjencisë së Legalizimeve tha dje se çdokush që nuk ka mundësi të paguajë tarifën e legalizimit të ndërtimit pa leje, mund të marrë kredi me ndërmjetësimin e ALUIZNI-t me interes zero. Ai tha se Agjencia do të nisë bashkëpunimin me një kompani për realizimin e këtij projekti. Memia tha gjithashtu se qytetarët që do t’i shlyejnë në kohë detyrimet financiare, do të kenë një ulje prej 20 për qind të shumës. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shlyejnë sa më shpejt detyrimet financiare, në mënyrë që t’i jepet mundësi kësaj agjencie të kryejë në kohë kompensimin e ish-pronarëve. Sipas kalendarit të bërë publik nga ALUIZNI, brenda këtij muaji do të vazhdojë shpërndaja e certifikatave të pronësisë në 13 qytete kryesore, duke nisur nga Lezha deri në Sarandë. ALUIZNI shpërndau dje certifikata në qarkun e Vlorës ku u ndanë rreth 170 leje

Tarifat

Nëpërmjet bankës do të paguhen të gjitha shumat që kërkon ligji për legalizimin e objekteve pa leje. Ligji parashikon pagimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë si dhe tarifat për metër katror që përcakton ligji i legalizimeve. Në ligjin për legalizimet janë përcaktuar edhe çmimet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Këto çmime konsiderohen sociale. Ligji ka përcaktuar edhe çmimet e përfundimit të këtij procesi, sipas sipërfaqes dhe zonave informale përkatëse. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë shkon deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë, për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë shuma që duhet paguar është 400 mijë lekë të reja. Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe toke deri në 100 metra katrorë varion deri në 200 mijë lekë, ndërsa deri në 300 metra katrorë është 400 mijë lekë të reja. Në lidhje me shtesat, çmimi për sipërfaqe deri në 50 metra katrorë është 100 mijë lekë të reja dhe maksimalja për 100 metra, është 400 mijë lekë të reja. Njëkohësisht, do të ketë disa taksa të tjera, si ajo e ndikimit në infrastrukturë apo tarifat e tjera për formularët e legalizimit. Qeveria ka miratuar edhe tarifat shtesë që do të vendosen për legalizimin. Qytetarët do të paguajnë vetëm nga 4 mijë lekë të reja për të gjithë dokumentacionin dhe kjo është tarifa që do të paguajë qytetari për shërbimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›