E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, qeveria kërkon supermonitorim nga OSBE/ODIHR-i



Qeveria shqiptare i kërkoi dje OSBE/ODHIR-it të dërgojë në qershor misionin më të madh monitorues në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Kërkesa u bë nga Kryeministri Berisha ndaj delegacionit që do të monitorojë parapërgatitjen elektorale dhe situatën politike në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë që zyrtarisht ajo do t’i niset ODHIR-it brenda javës që vjen. Në këtë kuadër Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR-it, i cili po viziton Shqipërinë për të vlerësuar kuadrin përgatitor të zgjedhjeve në vend. Gjatë këtij takimi, Kryeministri shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e misionit dhe siguroi delegacionin për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ndaj procesit zgjedhor. Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë shumë të rëndësishme në lidhje me arritjen plotësisht të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe çdo përpjekje do të bëhet në këtë drejtim. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha ftoi përfaqësuesit e ODIHR-it që të dërgojnë një mision vëzhgimi sa më të madh dhe siguroi se ftesa zyrtare për vëzhgim të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-i do të prezantohet brenda javës së ardhshme. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për miratimin me konsensus shumë të gjerë të ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor, veçanërisht të sistemit të ri zgjedhor që eliminon përfundimisht fenomenin negativ të “Dushkut”. Gjithashtu, ai përshëndeti aprovimin konsensual të KQZ-së së re, me të cilën së shpejti do nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Njëkohësisht, kreu i qeverisë, Sali Berisha, bëri një ekspoze të përgatitjeve të infrastrukturës zgjedhore, duke u ndalur në pajisjen për herë të parë të shtetasve me letërnjoftime elektronike, modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave, në bashkëpunim me projektin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, arritje të cilat përmirësojnë rrënjësisht standardet e zgjedhjeve. Kryeministri vuri në dukje se procesi aktual i hartimit të listave vazhdon me sukses dhe pa ankesa, në dallim të fortë me të shkuarën kur listat e zgjedhësve, dhe jo alternativat politike, përbënin objekt polemikash. Ndërsa shefi i Misionit të Vlerësimit të Nevojave, z. Gerald Miçëll, falënderoi për mbështetjen e marrë për këtë mision, dhe për rolin e ODIHR-it në përgjithësi në procesin zgjedhor. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, takimi u mbyll me shprehjen e vullnetit të mëtejshëm për bashkëpunim.

Basha, garanci ODIHR-it për zgjedhje të lira

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje Misionin Parapërgatitor të ODIHR-it, ku garantoi se procesi zgjedhor më 28 qershor do të jetë tërësisht i lirë dhe i ndershëm. Misioni i kryesuar nga Gerald Miçëll, shef i zyrës së zgjedhjeve të ODIHR-it, mori nga ministri Basha të gjithë informacionin e kërkuar për sa i përket gjithë infrastrukturës përgatitore parazgjedhore. Pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur ODIHR-i në monitorimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Shqipëri, ministri Basha bëri një pasqyrë të gjerë të reformës zgjedhore dhe të përgatitjeve që po bëhen për përfundimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, përfshirë prodhimin e letërnjoftimeve, publikimin e listave të zgjedhësve etj. Basha theksoi edhe përkushtimin e plotë të qeverisë shqiptare për zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Ai përsëriti në emër të qeverisë shqiptare ftesën që ODIHR-i të dërgojë misionin më të madh vëzhgues që ka monitoruar ndonjëherë zgjedhjet në Shqipëri. Delegacioni i ODIHR-it po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me qëllim që të njihet me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rama me delegacionin e ODIHR-it, bisedime për zgjedhjet

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me delegacionin e ODIHR-it në vendin tonë, i cili po monitoron parapërgatitjen elektorale dhe situatën politike në prag të zgjedhjeve parlamentare. Në përfundim të këtij takimi, kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi se procesi parapërgatitor është në rrezik, duke iu referuar në veçanti procesit të pajisjes së qytetarëve e qytetareve me karta identiteti. “Të gjitha të dhënat janë shkurajuese e po bëhen dëshpëruese dhe për fat të keq qeveria vazhdon të tregojë paaftësi dhe mbi të gjitha papërgjegjshmëri për këtë proces, ku ka mbetur shumë pak kohë, ndërkohë që janë miliona ata që sot e gjithë ditën nuk e kanë kartën e identitetit dhe as nuk kanë aplikuar për këtë”, - tha ai.

Për Ramën, është shumë herët për të folur se çfarë duhet bërë në rast se situata bëhet pa rrugëdalje dhe është koha maksimale për të folur për çka duhet bërë, që situata të mos bëhet pa rrugëdalje. “Kështu si po ecim, po shkojmë drejt një qorrsokaku, për fajin ekskluziv të qeverisë dhe për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë që i karakterizon këta zotërinj, të cilët si në të gjitha gjërat, edhe në këtë proces po tregojnë edhe një herë tjetër që nuk e meritojnë të rrinë aty ku janë”, - deklaroi kreu i PS-së.

Meta: LSI-ja, garant për mbështetjen e grave

Kryetari i Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me gra dhe vajza në Skrapar. Gjatë këtij takimi, kreu i LSI-së, Meta, garantoi gratë për mbështetjen që do të japë LSI-ja ndaj tyre dhe tha se asnjë forcë deri tani nuk ka organizuar një konventë të posaçme për gratë, siç organizoi LSI-ja pak ditë më parë, kur mblodhi 4 mijë gra nga e gjithë Shqipëria në Pallatin e Kongreseve. Në fjalën e tij, Meta vuri theksin në politikat që LSI-ja do të zbatojë për gruan, të cilat do të kenë në qendër të tyre punësimin e grave dhe luftën kundër varfërisë. Sepse, siç u shpreh kreu i LSI-së, varfëria është një plagë që, në radhë të parë, prek gruan e më pas gjithë familjen. Meta u shpreh më tej se LSI-ja ka një program të qartë për integrimin e gruas dhe për familjen në përgjithësi dhe shprehu optimizmin e tij se në 28 qershor gratë dhe shqiptarët do të votojnë LSI-në për ndryshimin që ajo do të sjellë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›