Prifti: Kryeministri t’i përgjigjet kërkesës për mocion debati
Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi dje Kryeministrit Berisha t’i përgjigjet kërkesës së saj për një mocion debati në Parlament për krizën ekonomike. Nënkryetari i kësaj partie, Dritan Prifti, tha se kjo çështje duhet të jetë në krye të axhendës së një kryeministri. "Ne pothuajse para tri javësh kemi depozituar në Kuvend zyrtarisht një mocion me debat për Kryeministrin Berisha për situatën ekonomike në vend dhe për mënyrën e përballimit të krizës që ka kapur Shqipërinë sot. Kriza financiare globale është kthyer në një krizë ekonomike për gjithë shqiptarët. Vazhdojmë të jemi shumë të shqetësuar për këtë dhe jemi të shqetësuar sepse ka kaluar afati kushtetues me të cilin Kryeministri duhet të paraqitet në Kuvend për të bërë këtë debat me opozitën", - tha Prifti. Referuar deklaratave të ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Prifti tha se edhe ka dhënë sinjale alarmi të përkeqësimit të të ardhurave në Shqipëri nga emigrantët. “Janë pothuajse 2 miliardë dollarë dhe euro që hyjnë çdo vit nga emigrantët në Shqipëri, para që shpenzohen këtu. Ka një rënie të ndjeshme, edhe sipas ambasadorit të OSBE-së, të këtyre remitancave që vijnë nga emigrantët dhe kjo është një arsye më shumë pse Kryeministri duhet të vijë në Kuvend të dëgjojë shqetësimet e opozitës dhe propozimet e opozitës për të përballuar këtë krizë”, - tha Prifti.
PS-ja sqaron pozicionin e saj me Prokurorinë e Përgjithshme
Partia Socialiste sqaroi dje pozicionin e saj në lidhje me Prokurorinë e Përgjithshme. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në selinë rozë, Ylli Manjani, tha se PS-ja mbështet Prokurorinë e Republikës, që me gjithë presionin e jashtëzakonshëm politik të qeverisë, hetoi dhe dërgoi para drejtësisë zyrtarët e korruptuar. “PS-ja ka mbështetur dhe mbështet Prokurorinë e Republikës në hetimin e këtyre krimeve, jo thjesht për faktin se ato janë kryer nga qeveria, por se shqiptarët sot po vuajnë pasojat tepër të rënda të këtyre krimeve dhe të korrupsionit galopant të qeverisë së tyre”, - deklaroi Manjani. Ndër të tjera, ai vuri në dukje se PS-ja ka mbështetur dhe mbështet Prokurorinë e Republikës, jo për interes politik siç rreket të propagandojë Berisha, por për respekt të shqiptarëve që kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim ligjor për të gjithë qeveritarët që qeverisin në mënyrë kriminale. “PS-ja, sot në opozitë dhe nesër në qeverisje, dëshiron që ligji të zbatohet për të gjithë njësoj dhe pa asnjë presion, paragjykim apo ndërhyrje politike. I gjithë ky presion antikushtetues dhe antiligjor në të cilin gjendet sot drejtësia, ushtrohet drejtpërdrejt nga Sali Berisha. Prandaj edhe zgjidhja është largimi i këtij njeriu nga qeverisja e vendit, gjë e cila do të ndodhë në 28 qershor”.