E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Ballkani, në rrezik kolapsi financiar

Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria e vende të tjera të rajonit rrezikohen nga kolapsi financiar njësoj si vendet e Detit Baltik, gjë që mund t‘i detyrojë qytetarët e këtyre vendeve të pranojnë korrigjime të konsiderueshme në ulje të pagave dhe pensioneve në muajt e ardhshëm. Ky është mendimi i disa qendrave kërkimore rajonale në Sofje, të cituara dje nga "Daily Telegraph".

Ashtu si vendet e Baltikut, të cilat janë kthyer në makth për Suedinë, edhe vendet e Ballkanit mund të kthehen në makth për Greqinë, Italinë e Austrinë. Të gjitha këto vende kanë deficite shumë të larta të llogarisë korrente (hyrje-daljet valutore), gjë që kërkon domosdoshmërisht korrigjim, pra ulje të konsumit të mallrave dhe shërbimeve, gjë që mund të rezultojë e dhimbshme për një pjesë të madhe të popullatës. Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë arriti në rreth 17 për qind të PBB-së vitin e kaluar, gjë që nënkupton se vendi ynë ka nevojë të kursejë disa qindra milionë euro për të shmangur zhvlerësimin e lekut dhe destabilitetin financiar. Deficiti i Llogarisë Korrente të Bullgarisë arriti në 25 për qind vitin e kaluar. Kombinimi i deficitit me rënien e prodhimit mund të prodhojë pasoja katastrofike.

Samir Patel nga grupi kërkimor Researxh2 thotë se Serbia, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja kanë të gjitha nevojë për "kapitale të shumta për të shpëtuar", në mënyrë që të ruajnë sistemet e tyre. "Europa Jugore është shumë e rrezikuar nga kriza", - tha ai.

Ekspertët besojnë se dominimi i tregut të kreditimit nga euro është fenomeni më shpërthyes, sepse ka shumë gjasa që një ditë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre kredive të mos mund të paguhen, duke sjellë pasoja të ngjashme me krizën e Argjentinës në vitin 2001.

Prej kohësh, monedhat e rajonit tonë janë të lidhura në mënyrë direkte apo indirekte me euron. Bullgaria dhe Bosnja kanë një kurs fiks këmbimi, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia kanë lidhur fatet e monedhave të tyre jozyrtarisht me euron. Përgjatë viteve të fundit, vlerësohet se leku dhe dinari maqedonas janë mbivlerësuar artificialisht kundrejt euros, mbivlerësim që u shkaktua nga politika e shtrënguar monetare përballë fluksit të bollshëm hyrës të valutës. Por kur fluksi i valutës shteron, siç pritet të ndodhë këtë vit, atëherë pasojat mund të jenë shumë të dhimbshme. Qytetarët do të detyrohen të heqin dorë nga një pjesë e konsiderueshme e konsumit të tyre të zakonshëm, ekonomia do të rrëzohet dhe papunësia do të rritet, sipas skenarit më të keq.

Kurthi i monedhës

Reduktimi i deficitit të llogarisë korrente dhe deficitit tregtar mund të kryhet lehtë përmes zhvlerësimit të monedhës, e cila shkaktoi inflacion dhe rënie konsumi. Por në kushtet aktuale, kjo politikë tradicionale nuk është aspak e besueshme, sepse së bashku me mallrat e importuara, me anë të zhvlerësimit shtrenjtohen edhe kreditë në valutë që kanë marrë individët dhe bizneset. Në këtë rast, bankat mund të destabilizohen duke tërhequr me vete investimet, konsumin dhe të gjithë ekonominë. Për pasojë, zgjidhja e një problemi krijon në fakt një tjetër. Në Shqipëri, deficitet janë shumë të larta, 75 për qind e kredisë është në valutë dhe sasia e kredisë së keqe në banka po rritet me shpejtësi, edhe pse leku ka qëndruar relativisht i fortë.

Për këtë arsye, këshilla kryesore e Fondit Monetar Ndërkombëtar sot nuk është thjesht zhvlerësimi i monedhës, siç ka qenë në të shkuarën, por shtrëngimi i politikës fiskale dhe monetare. Kjo gjë ka kërkuar në disa raste thjesht ulje të pagave të sektorit publik, rënie të konsumit të furnizuar nga buxheti i shtetit dhe për pasojë, uljen e të ardhurave edhe në sektorin privat. Në të gjitha rastet dhe cilado qoftë zgjidhja, problemi duket se do të kërkojë sakrifica të konsiderueshme nga shtresa e mesme dhe e ulët e popullatës, sipas ekspertëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›