Olldashi: Gati tenderi për mirëmbajtjen e Rrugëve
Kukësi dhe Tirana, duke përfshirë edhe rrugën e re Durrës - Kukës, do të jenë dy qytetet që, duke nisur që nga viti që vjen, do të aplikojnë mirëmbajtjen e rrugëve nga kompanitë private. Ministri Olldashi lajmëroi dje çeljen e tenderit shumë shpejt
Ministria e Transportit është duke bërë gati çeljen e një tenderi që do të transferojë mirëmbajtjen e rrugëve te një kompani private. Lajmin e njoftoi dje ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili sqaroi se “është duke u bashkëpunuar me IFC-në dhe se shumë shpejt do të mund të nxirren për tender mirëmbajtja dhe operimi i rrugëve të ndërtuara, pasi mirëmbajtja e tyre ka një kosto të madhe dhe në këtë mënyrë mund të veprohet me sektorin privat për menaxhimin e tyre”. Kukësi dhe Tirana, duke përfshirë edhe rrugën e re Durrës - Kukës, do të jenë dy qytetet që, duke nisur që nga viti që vjen, do të aplikojnë mirëmbajtjen e rrugëve nga kompanitë private. Burimet në Ministrinë e Transporteve njoftuan se projekti pilot do të përfshijë mirëmbajtjen e rreth 500 kilometrave rrugë nacionale, në rajonet e Tiranës dhe Kukësit. Në këtë projekt pilot përfshihet edhe rruga e re Durrës-Kukës, ku vetëm për mirëmbajtjen e tunelit llogaritet një kosto vjetore prej 1 milion dollarësh. Privatizimi i mirëmbajtjes së rrugëve është një projekt që mbështet nga Banka Botërore dhe më vonë do të shtrihet në të gjithë vendin. Me ndërtimin e rrugëve të reja, kostoja totale e mirëmbajtjes në një vit llogaritet në më shumë se 45 milionë euro, sipas strategjisë kombëtare të transportit. Nga kjo shumë, rreth 25 milionë euro duhen për mirëmbajtjen e akseve nacionale dhe pjesa tjetër për mirëmbajtjen e rrjetit sekondar të rrugëve. Nga ana tjetër rëndësia që merr mirëmbajtja e rrugëve në fonde po shoqërohet edhe me reforma në mirëmbajtjen e tyre. Ministria e Transportit do të përcaktojë modalitetet e standardeve të mirëmbajtjes rutinë dhe periodike me specifikimet teknike të përshtatshme si dhe vlerësimet standarde të kostove. Në këtë kuadër do të hartohet manuali i mirëmbajtjes rrugore, si dokument politikash i drejtuar dhe i kontrolluar nga MPPTT. Kështu pritet të aplikohet përdorimi i kontraktorëve të vegjël për mirëmbajtjen rutinë dhe i kontraktorëve më të mëdhenj për mirëmbajtjen periodike. Konsulenti i Strategjisë kombëtare të transportit, Louis Berger, vlerësoi koston e mirëmbajtjes së duhur të rrugëve në një shumë prej €45.2 milionësh që përfaqëson 1.2% e GDP-së së vendit ose 4.0% buxhetit kombëtar. Kjo është e lartë, por jo e tepërt. Konsulenti këshilloi se fondet për mirëmbajtjen e rrugëve mund të gjenerohen nga rritja e taksave për karburantet dhe automjetet. Në një kohë më të gjatë, kur të gjitha rrugët kanë arritur një gjendje të mirëmbajtshme, një shumë prej 90 milionë eurosh do të ishte e nevojshme për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve. Fondi i Rrugëve shihet si një alternativë, por jo e zgjidhjes përfundimtare të problemit. "Një fond rrugor mbledh të ardhura nga taksa mbi përdoruesit e rrugëve. Në përgjithësi një taksë e veçantë mbi karburantet që konsumohen nga automjetet shërben si një burim kryesor për to. Kjo mënyrë është ajo më e zakonshmja dhe më e lehta për të zbatuar. Këto fonde në përgjithësi mblidhen në burim: në rafineritë e naftës ku prodhohet karburanti ose kur importohen karburantet.