Partia Socialiste, sot në Kuvend për miratimin e Rezolutës së PD-së për vizat
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, gjatë mbledhjes së ditës së djeshme vendosi që Partia Socialiste të marrë pjesë sot në seancën plenare, ku do të miratohet Rezoluta e Partisë Demokratike për liberalizimin e vizave. Ftesa e maxhorancës që opozita të merrte pjesë në votimin e Rezolutës dukej një manovër e saj për të thirrur opozitën në Parlament. Socialistët patën deklaruar ditë më parë se nuk do të merrnin pjesë në asnjë votim të projektligjeve, derisa të miratoheshin dy nismat ligjore të PS-së. Sipas PD-së, Rezoluta ka si synim që të nxisë Ekzekutivin dhe të gjitha institucionet e tjera që të përfshihen me të gjitha kapacitetet e mundshme për të ecur sa më shpejt në drejtim të liberalizimit të vizave. Mendohet se paraqitja e Rezolutës ditën e enjte përkon edhe me një tjetër zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Në seancën parlamentare të ditës së hënë, deputetët socialistë nuk votuan projektligjin për Gjykatën Administrative. Ishte e njëjta arsye për opozitarët; derisa të miratohen dy projektvendimet e PS-së nuk do të marrin pjesë në votimin e asnjë projektligji në Kuvend. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka cilësuar mospjesëmarrjen në votim një përpjekje të opozitës për të penguar procesin integrues, pasi miratimi i projektligjit për Gjykatën Administrative është një kërkesë e ndërkombëtarëve. Por, me sa duket, Topalli dhe maxhoranca kërkon të spekulojë me opozitën. Nëse opozita nuk merr pjesë në miratimin e Rezolutës, maxhoranca do ta përdorë në favor të saj, me qëllimin se ata nuk janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe po pengojnë procesin. Partia Demokratike e ka konsideruar miratimin e kësaj rezolute në interesin e drejtpërdrejtë të çdo qytetari shqiptar. Sipas maxhorancës, Rezoluta ka për qëllim të inkurajojë Ekzekutivin dhe çdo agjenci tjetër të lidhur drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte me procesin, duke ftuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij. Për PD-në, siç ajo thekson, liberalizimi i vizave nuk është thjesht një premtim i saj elektoral, por një objektiv i madh kombëtar, ndaj edhe ai ka nevojë për kontributin e gjithsecilit.
11 Mars 2010