Komisioni i Ligjeve miraton me konsensus ligjin për Prokurorinë

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste miratojnë me konsensus projektligjin për Prokurorinë. Në komisionin parlamentar të ligjeve, Fatmir Xhafaj i Partisë Socialiste theksoi se reforma në drejtësi është vendimtare për integrimin e vendit dhe drafti i ardhur nga Ministria e Drejtësisë është në frymën e kushtetutës, rekomandimeve të ndërkombëtarëve dhe rregullores së Kuvendit të Shqiperisë. E thirrur për të dhënë mendim mbi projektligjin, Kryeprokuroria e Përgjithshme Ina Rama kundërshtoi dy nene të këtij ligji që sipas saj cënojne pavaresinë e organit të akuzës. Sipas Ramës, çështja e imunitetit të prokurorëve dhe inspektimet e Ministrisë së Drejtësisë mbi veprimtarinë e organit të akuzës, bëjnë vulnerabël prokurorinë dhe përfshijnë atë në diskutime politike. E ndërkaq, pretendimet e Ina Ramës janë mbështeëtur edhe nga deputeti socialist Pandeli Majko i cili vuri në dukje faktin se neni 28 i këtij ligji, që parashikon raportimin në parlament, detyrimisht do të thotë votëbesim për kryeprokurorin çdo vit. Por, një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë për institucionin iniciator të këtij ligji, Ministrin e Drejtësisë Enkeled Alibeaj. Ligji i prokurorisë pritet të votohet ditën e hënë në seancë plenare bashkë me kodin zgjedhor të rregulluar me dispozitë kalimtare nga komisioni i reformës zgjedhore.