E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Dosjet një çështje e vonuar

26/12/2008  Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një interviste televizive theksoi se çështja e hapjes së dosjeve është e vonuar, duke iu shmangur komenteve mbi kritikat e ndërkombëtarëve për këtë ligj. Ai tha se gjatë këtyre 18 vjetërve, kjo procedurë duhet të ishte mbyllur. Presidenti, si garant i Kushtetutës nënvizoi se fjalën e tij do ta shprehë me dekret, vendim i cili do të merret pas konsultimeve që ajo do të bëjë për këtë çështje. “Çështja e hapjes së dosjeve ndoshta edhe është vonuar. Pas 18 vitesh të diskutohet nëse duhet të hapen ose jo është vonë. Personalisht vlerësoj të mos interferoj për këtë çështje. Dikur si politikan isha më i drejtpërdrejtë se sot. S’mund të shprehem para kohe. Pra, në pozicionin e Presidentit të Republikës s’mund ta paragjykoj ligjin nga pikëpamja e ndërtimit ligjor, unë flas vetëm me dekret. Po ju them se ligji ende nuk ka ardhur në zyrën e Presidentit”, tha ai. Duke mbrojtur variantin e firmosur prej tij në kohën kur ishte nënkryetar i PD-së në 1996-n, për variantin e miratuar nga Kuvendi para pak ditësh, tashme në pozicionin e Presidentit, Topi tha se do të konsultohet me ligjin dhe Kushtetutën para se të vendosë. Referuar kritikave të kreut të mazhorancës, Kryeministrit Berisha për dekretimin prej tij të ish-prokurorit Skënder Breça, një figurë e papastër, kreu i shtetit pranoi se ky ishte një gabim që sipas tij do të rregullohet. “Padyshim që e gjithë procedura që ndiqet në institucionin e Presidentit ndjek një procedurë të caktuar. Për fat të keq qoftë në momentin e propozimit, qoftë në momentin e filtrimit, këtu ka patur një handikap. Me bindje them se është një vendim me një procedurë për t’u rivendosur, për t’u rigjeneruar. Në hulumtimet që kam bërë rreth kësaj procedure, stafi që ka asistuar me këtë çështje, është mjaftuar me referenca mjaft sipërfaqësore. Ata kanë marrë që ai ka punuar në gjykatën e lartë, prokurori, dhe në kod institucione të rëndësishme. Dhe ka mjaftuar për të thënë që gjithçka është e pastër. Pa dyshim gjithçka do të rivendoset në moralin e vet”, tha Presidenti për këtë çështje.

Dekreti për Kodin Zgjedhor

Përjashtimi i LSI-së nga proceset e administrimit të zgjedhjeve u deklarua edhe nga Presidenti i Republikës Topi. Ai shprehu vlerësimet e tij për punën e bërë nga Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe mbi të gjitha për marrjen prej tij në konsideratë të vërejtjeve të Presidentit. Duke iu referuar komenteve të politikanëve të ndryshëm menjëherë pas dekretit të kthimit, Topi kujtoi se ata i ndan nga politikanët e ditës ftohtësia e vendimmarrjes. “E kam të qartë që gjithmonë politika reagon edhe në mënyrë emocionale. S’dua t’i kthehem retrospektivës për sa i takon këtyre momenteve, por që dallon një politikan nga Presidenti është pikërisht çështja e ftohtësisë në marrjen e vendimeve. Pra, mua nuk më lejohet që të marrë vendime në mënyrë pasiononte, por duhet t’i referohem ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës, ligjit dhe natyrisht dekreti i kthimit kishte një moment të thjesht teknik, jo politik”, tha Presidenti. Lidhur me pretendimet e LSI-së, ai vlerësoi se mbi të gjitha kjo është një çështje që i takon vullnetit të partive politike dhe vendimmarrjes parlamentare. “Në këtë fazë mendoj se është një moment i tejkaluar, qoftë me dekretin e Presidentit, qoftë me vendimin që ka marrë Komisioni i Reformës zgjedhore. Besoj se kjo është tendenca e shprehur dhe që duket se do të shkojë në këtë linjë. Unë nuk mund të them asgjë tjetër, sepse e kam kthyer për një motiv dhe jo për motive të tjera”, vijoi ai.

Marrëdhëniet me Kryeministrin

Kryetari i shtetit i ka lënë çështje të insinuatës mediatike zërat për marrëdhëniet e ftohta mes tij dhe drejtuesve të tjerë të shtetit Kryeministrit Berisha, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe mazhorancës në përgjithësi. Ai tha se marrëdhëniet janë mbi të gjitha institucionale dhe se konfliktet apo debatet mes palëve janë të një karakteri parimor, debate që sipas tij çojnë përpara një demokraci. “Unë do të mendoja që ta lëmë këtë ta lemë në konceptin e perceptimi të medias. Për mua është shumë e rëndësishme që të ketë raporte njerëzore, të konsolidohen këto raporte. Dhe raportet njerëzore në marrëdhëniet institucionale duhet të jenë në funksion të respektimit të pozicionit të gjithsecilit, i cili okupon në mënyrë kushtetuese një pozicionin të rëndësishëm. Gjithçka bëhet fjalë, jo për debat të karakterit personal. Kush e koncepton në këtë mënyrë gabohet”, tha ai. Këtu, vijoi numri një i shtetit shqiptar, diskutohet për çështje mjaft parimore që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit, të strukturave të saj, të marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe debatet kur bëhen të hapura janë në favor të demokracisë. Për sa i takon marrëdhënieve me Prokurorinë e Përgjithshme, për këtë pjesë Presidenti tha se respekton pavarësinë e institucionit dhe se është larg interferencave të këtij institucioni.

Çështja “Bollano”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke komentuar çështjen “Bollano” i ka sugjeruar medias shqiptar të mos fryjnë çështje dhe me persona që sipas tij ishin periferike. Duke iu referuar ndjeshmërisë që kanë çështje të nacionalizmit në shoqërinë shqiptare ai tha se e vetmja gjë që mund të bëjmë të gjithë është moslënia e vakumeve të asnjë lloji, me qëllim që tendencat ultranacionaliste të mos ekzistojnë. “Ndonjëherë persona fare periferik, që mund të kenë tendenca të shprehura individuale apo në grup, nuk duhen marrë në konsideratë. Shqipëria ka institucionet të forta të konsoliduara, ka një mentalitet shoqëror shumë të qartë për sa i takon historisë së Shqipërisë dhe të ardhmes së saj. Ajo që është e rëndësishme është që të ne të mos lëmë vakume në asnjë lloj pozicioni, në asnjë lloj territori, por duhet të ushtrojmë në të gjitha mënyrat e mundshme demokratike, në mënyrë që tendencat ultranacionaliste të mos ekzistojnë më, të jenë zëra të mekur”, theksoi Topi. Duke nënkuptuar veprimin e Bollanos, i cili gjendet përballë drejtësisë për heqje e të gjitha tabelave në gjuhën shqipe në Himarë, bashkinë e së cilën edhe e kryeson, kreu i shtetit tha se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë. “Pastaj aty ku shkelet ligji, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë. Ligji është i barabartë për të gjithë”, tha ai. Përsa i takon respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, Topi tha se ne jemi më të lavdëruarit.

Bilanci

Viti 2008 ka qenë vit intensiv në rrafshin politik dhe kjo është tipar i demokracive të reja. Duhet parë me sy pozitiv. Sigurisht që ka një pjesë negative dhe një pjesë pozitive, por dominon kjo e fundit. Aktorët politikë kanë qenë të predispozuar të bëjnë një lojë të fortë, gjë e cila ka rritur ndjeshëm protagonizmin politik dhe pas një viti shoh që Shqipëria ka bërë përpara.

Drejtësia

Kam bërë thirrje konstante dhe them se hap pas hapi drejtësia duhet të çlirohet nga apatia, dhe mbi të gjitha nga varësia politike. Është bërë sigurisht progres, sepse brenda një viti në sektorin e drejtësisë janë rinovuar 80% e personave janë zgjedhur njerëz me integritet dhe profesionist. Por ky sistem vazhdon të jetë i përfolur. Njerëzit në sistemin e drejtësisë kanë nevojë të fitojnë një autonomi dhe bashkë me të edhe përgjegjësi mbi të gjitha ligjore, pasi ka drejtësi të deformuar të munguar apo mos zbatuar.

Ndryshimet kushtetuese

Unë kam bërë një lloj reagimi para miratimit të ndryshimeve kushtetuese, duke vënë theksin jo tek çështje të veçanta, por të fakti se kur preket Kushtetuta duhet një konsultim i gjerë. Duke marrë në konsideratë që ato ndryshime u votuan me 115 vota në Parlament, ndoshta ka qenë një dekretim në një kohë rekord. Ka qenë dita evropiane, 9 maj i këtij viti, ku unë nuk kam hezituar për të respektuar atë vullnet me 115 vota.

Zgjedhjet

Unë besoj që është një premisë e mirë, që ne jemi plotësisht në afate kushtetuese për të bërë zgjedhje në afte dhe me standardet e duhura. Ka edhe disa detyrime për sa i përket dokumentacionit dhe mbi bazën e asaj që ne kemi marrë informacion, shpresojmë që ky dokumentacion të jetë i realizuar në kohë, në mënyrë që zgjedhjet jo vetëm të kenë një kuadër ligjor të domosdoshëm, por edhe të kenë infrastrukturën dhe besimin reciprok se këto zgjedhoje do të jenë të lira, të ndershme dhe të pakontestuara.

Korrigjimet

Njeriu ka gjithmonë të përmirësojë në punën e tij. E rëndësishme është që institucioni i Presidentit ka karakter individual dhe jo kolegjial si Kuvendi dhe qeveria. Ajo që duhet përmirësuar më tej, është stafi i Presidentit, i cili duhet të jetë shumë i vëmendshëm.

Kriza globale

Uroj që Shqipërinë ta prek sa më pak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›