E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ne mbrojmë interesat e shqiptarëve

26/12/2008  Kreu i LSI-së takime me elektoratin

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi një takim me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në minibashkinë nr.8 të Tiranës. Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh entuziast për suksesin që LSI-ja do ketë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009. “LSI-ja është e vetmja parti që sjell ndryshimin e vendit. Në këtë drejtim LSI-ja është afirmuar si një forcë që qëndron për çështje të rëndësishme, çështje të mëdha, për kauza të mëdha, që u interesojnë gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që përkrahin LSI-në, por të gjithë atyre që përkrahin ndryshimin e vendit”, - vlerësoi Meta lidhur me këtë çështje. Sipas tij, LSI-ja përfaqëson atë alternativë që shikon nga shqiptarët, atë alternativë që shikon nga e ardhmja dhe nga interesat kombëtare. “Këto kanë qenë dhe mbeten përherë referenca mbi filozofinë politike të LSI-së, dhe kjo është arsyeja që ne ndihemi gjithmonë e më të përkrahur nga opinioni publik”, - vuri në dukje Meta gjatë fjalës së tij për këtë çështje. Duke u ndalur konkretisht në atë çfarë përfaqëson kjo parti, kreu i LSI-së e cilësoi partinë që drejton si një forcë politike tepër serioze, jo vetëm për gjërat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me demokracinë dhe me shtetin, por edhe me gjërat më të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me probleme ekonomike dhe sociale. “Ne jemi e vetmja forcë politike që ka paraqitur një projektligj për nxitjen e investimeve në sektorin elektroenergjetik që në nëntor të 2005-s, pra që në fillim të këtij parlamenti, e cila, nëse do të ishte marrë parasysh, do të kishim ndërtimin e mjaft veprave energjetike në vend”, - vlerësoi Meta, që ka shtuar se LSI-ja si forcë politike, edhe pse bazë të saj elektorale përgjithësisht ka gjeneratën e re, ka treguar vëmendjen e duhur ndaj moshës së tretë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›