E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton në parim pr/ligjin “Për kundravajtjet administrative”

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot në parim projektligjin “Për kundravajtjet administrative”, i cili ka për qëllim përmirësimin e ligjit aktual, që është miratuar në vitin 1993 dhe i është nënshtruar disa ndryshimeve jothelbësore. Në paraqitjen e projektligjit, specialistja e Ministrisë së Financave, vuri në dukje se përmirësimi i ligjit në fuqi ka lindur si domosdoshmëri pas ndryshimeve të thella që ka pësuar legjislacioni shqiptar në përgjithësi dhe pas zgjerimit të madh që ka marrë vendimmarrja administrative, si pasojë e zgjerimit të llojeve të autoriteteve publike që operojnë me aktin adminsitrativ, si instrument i vendosjes së ndëshkimit administrative. Objekt i këtij projektligji janë aktet administrative të ndëshkimit administrative, kundërvajtjet administrative të kryera nga persona juridikë, fizikë dhe individë, si dhe procedurat e ekzekutimit të dënimit administrativ të vendosura nëpërmjet një akti administrativ të vlefshëm. Relatorja e Komisionit për këtë projektligj, deputetja Arenca Trashani tha se projektligji i paraqitur bën një rregullim të plotë të dinamikës së marrëdhënieve administrative në rastin e kundërvajtjeve. Sipas relatores projektligji përmirëson dhe harmonizon edhe pjesën tjetër të legjislacionit që lidhet me këtë fushë, duke përfshirë një sërë ligjesh dhe hallkash institucionale që nuk e gjenin veten në ligjin ekzistues. Deputetja Trashani vlerësoi si një element shumë pozitiv të projektligjit unifikimin e procedurave të shqyrtimit, gjykimit, ankimimit në marrëdhëniet administrative, duke ofruar zgjidhje edhe për një sërë rastesh që deri më sot ishin të pazgjidhshme. Anëtarët e Komisionit i drejtuan një sërë pyetjesh specialistes së Ministrisë së Financave dhe më pas miratuan në parim projektligjin në fjalë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›