Pranga bandës së rumunëve, tregtonin bizhuteri false
Tiranë - Tregtonin bizhuteri floriri false por u pikasën nga policia, e cila më pas i vuri në pranga. Pesë shtetas rumunë u arrestuan dje duke shitur bizhuteri false në qytetin e Kavajës, pasi e kishin nisur tregtinë e tyre muaj më parë edhe në qytete të tjera të vendit. Bazuar në informacionin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, shtetasit rumunë Ion Miklesku 31 vjeç, Nemes Miklesku 35 vjeç, Droges Miklesku 26 vjeç, Jonel Gunici 23 vjeç dhe Fondort Tiunuklesku 42 vjeç u kapën dje në qytetin e Kavajës. Në momentin e arrestimit, shtetasve rumunë iu sekuestruan 200 unaza false, 70 varëse, një kartë bankomati e klonuar dhe karta krediti false.
Operacioni
Policia kishte marrë informacion nga blerës të mallrave që tregtoheshin nga rumunët, por kanë pritur derisa të dilnin dhe analizat e metalit që të konkludohej për arrestimin e tyre. Ka qenë një operacion i shpejtë i inspektorëve të Antikrimit Ekonomik, në bashkëpunim me forcat e policisë të Komisariatit të Kavajës, që mundësoi kapjen në flagrancë gjatë momenteve të tregtimit të bizhuterive të ndryshme floriri false. Ishte konstatuar gjithashtu mjeti me të cilin ata lëviznin për të kryer aktivitetin tregtar të paligjshëm e, për më tepër, mashtrimin me gjoja metalin e shtrenjtë të përpunuar. Njerëzit me uniformë kishin mundur të dokumentonin tërësisht implikimin e tyre në këtë aktivitet të paligjshëm. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se të pesë rumunët mashtronin duke u hequr si italianë, por kanë qenë strukturat e hetimit të vendit fqinjë që kanë dhënë sinjalet e para për mashtrimin e tyre. Më pas, agjentët e Antikrimit Ekonomik kanë konstatuar në terren se rumunët bizhuteritë false ua shisnin tregtarëve duke i mashtruar me çmimin mesatar të bizhuterive të floririt.
Hetimi
Sipas të dhënave policore dhe hetimeve paraprake, grupi i rumunëve kishte disa javë që operonte në disa qytete të Shqipërisë. Mësohet se banda kishte hedhur në treg bizhuteri false duke i shitur për flori në Vlorë, Fier dhe Berat. Së fundi, ato ishin vendosur në qytetin e Kavajës dhe kishin destinacion Tiranën. Policia tha se bizhuteritë, të cilat shiteshin për flori, përbëheshin nga një material pa vlerë. Në sajë të posedimit të informacioneve operative, mbi aktivitetin e tyre të shtrirë në rrethet Fier, Berat e Lushnje, u arrit kapja në flagrancë e tyre në segmentin rrugor Lushnje–Kavajë. Aktualisht janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Tiranë për veprat penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”. Po punohet nga strukturat për thellimin e mëtejshëm të hetimeve si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
19 Janar 2009