Komisioni i ekonomisë miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi ndryshimet në p/ligjin për "Për sistemin e taksave vendore", i cili synon shmangien e abuzimeve ndaj biznesit të vogël. P/ligji parashikon vendosjen e kufijve të pushtetit vendor për taksat ndaj biznesit të vogël. Në bazë të projektit Bashkitë dhe Komunat nuk mund të ulin me shumë se 30 % taksat ndaj biznesit, por as t'i rritin ato më shumë se 10 %. Ligji i mëparshëm parashikonte që Bashkitë dhe Komunat të mund të ulnin deri në 30 % taksat ndaj biznesit. Po kështu, pushteti vendor kishte të drejtë t'i rriste taksat ndaj këtij biznesi deri në 30 %. Gjithashtu p/ligji parashikon edhe krijimin e një Task Force të veçantë, i cili do të të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël. Biznesi i vogël është konsideruar sektori më i fuqishëm i ekonomisë. Pavarësisht se kontributi i tij në buxhetin publik është pakrahasimisht më i vogël se biznesi i madh, biznesi i vogël është gjeneratori i punësimi në vend. Në këtë biznes janë të punësuar rreth 200 mijë persona. Taksa e biznesit të vogël u transferua tërësisht një vit më parë, në përputhje me konceptin e decentralizimit, në Bashki e Komuna.
...