Komisioni miraton thjeshtimin e procedurave të vizave për shoferët profesionistë
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për thjeshtimin e procedurave të vizave për shoferët profesionistë të kamionëve, shtetas të vendeve anëtare të BEDZ, e cila parashikon përgatitjen e listës nga çdo vend anëtar të shoferëve profesionistë, shtetas të shteteve anëtare të BEDZ, të angazhuar në transportin rrugor ndërkombëtar të mallrave. Vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi kanë nënshkruar një marrëveshje që synon thjeshtimin e procedurave të vizave për shoferët profesionistë të kamionëve, të vendeve të tyre, që i shërben nxitjes së tregtisë përmes transportit ndërkombëtar të mallrave. Sipas marrëveshjes, të nënshkruar në Tiranë në tetor 2008 nga katër shtete: Shqipëria, Armenia, Moldavia dhe Turqia, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të palëve mund të lëshojnë viza afatgjata me shumë hyrje-dalje, deri në një vit, në përputhje me vlefshmërinë e lejes së drejtimit të automjetit.
KQZ-ja miraton afatet për propozimin e kandidatëve për kryetarë komunash
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme afatet për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore që do të zhvillohen për disa njësi të pushtetit vendor, për shkak se një pjesë e të zgjedhurve vendorë dhanë dorëheqjen nga postet në përputhje me Kushtetutën, pasi kandiduan në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Anëtarët e KQZ-së vendosën që deri më 17 tetor komisionerët e partive të sjellin emrat e kandidatëve, ndërsa brenda datës 11 nëntor duhet të përcaktohen dhe koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje. Zgjedhjet do të mbahen më 15 nëntor, në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë; në komunën Olltak, në fshatin Klos të rrethit të Fierit, si dhe në Fushë-Arrëz. Nuk dihet ende se cili do të jetë qëndrimi i Partisë Socialiste në këto zgjedhje.
7 Tetor 2009