E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Financave, kundër propozimeve të ALUIZNI-it: Nuk miratohet zgjerimi i objekteve që legalizohen



Ministria e Financave është shprehur kundër propozimeve të Agjencisë së Legalizimeve, që synonin zgjerimin e kategorisë së objekteve që përfshihen në proces legalizimi. Komisioni Parlamentar i Ligjeve kishte lënë 24 orë afat që Agjencia të merrte konsensusin e Ministrisë së Financave për propozimet për ndryshimet në ligj. Por, gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit, Ministria e Financave nuk dërgoi asnjë ekspert dhe asnjë shkresë për propozimet e ALUIZNI-t, duke mos mundësuar miratimin e tyre. Ndaj dhe Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm projektin e ardhur nga qeveria. Propozimet e ALUIZNI-it nuk u miratuan. Gjatë mbledhjes së një dite më parë të Komisionit të Ligjeve, përfaqësuesja e ALUIZNI-t parashtroi disa ndryshime në ligj, që synonin përfshirjen në proces legalizimi të objekteve që ndodhen 100 metra larg akseve kombëtare. Sipas saj, në një largësi të tillë nga akset kombëtare janë ndërtuar pika karburantesh apo qendra tregtare, të cilat nuk mund të ndërtohen më larg se kaq. Ajo tha se kjo dispozitë sjell shfuqizimin në ligjin e legalizimeve të pikës 4/2 të Nenit 2.
Një tjetër propozim i Agjencisë së Legalizimeve është që të gjitha objektet e legalizuara të përfshihen në procesin e regjistrimit fillestar në ZRPP, por pronari i këtij objekti nuk do të ketë të drejtë ta përdorë atë, ta shesë apo ta japë me qira derisa të paguajë detyrimet financiare ndaj shtetit. “Kemi kërkuar shtimin e një paragrafi në Nenin 15, i cili do të ketë përmbajtjen: ‘Për ndërtimet e legalizuara, për të cilat nuk janë shlyer pagesat e parashikuara në ligj, kryhen procedurat e regjistrimit duke vendosur kufizim sipas ligjit ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’ të ndryshuar. Kufizimi do të zgjasë deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve financiare’”, - është shprehur përfaqësuesja e ALUIZNI-t. Sipas saj, kjo dispozitë propozohet në kuadër të lehtësirave për qytetarët për pagesën e detyrimeve financiare të legalizimit dhe për t’i dhënë një hov përshpejtimit të këtij procesi. “Ne aktualisht jemi para faktit që për 70% të ndërtimeve informale kanë mbaruar procedurat për kualifikimin dhe pajisjen me leje legalizimi dhe ndërkohë pritet që të bëhet pagesa e këtyre detyrimeve që kanë të bëjnë me kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Në mënyrë që këto pasuri të mos mbeten peng, ne propozojmë që blloku të regjistrohet si pasuri e regjistruar e legalizuar, por ndërkohë të qëndrojë e kufizuar, d.m.th. personi të cilit i është legalizuar të mos ketë të drejtën të veprojë mbi të derisa të shlyejë detyrimet financiare”, - ka shpjeguar përfaqësuesja e ALUIZNI-t.
Propozimi i tretë që vjen nga Agjencia e Legalizimeve lidhet me shtesat në pallatet ekzistuese, për të cilat propozohet kalimi i pronësisë njëlloj me objektin ekzistues. “Duke qenë se në praktikë ndeshemi shpesh me raste të mosqartësisë së titujve të pronësisë, kemi propozuar një pikë 2, pas Nenit 17 të ligjit, që ka përmbajtjen: ‘Për objektet ekzistuese dhe ndërtimet me leje që nuk i kanë të rregulluara raportet e pronësisë mbi truallin mbi të cilat kanë shtesa informale, bëjnë kalimin i pronësisë së truallit në tërësi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji’”, - është shprehur drejtoresha Juridike e Agjencisë së Legalizimeve.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›