Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shqyrton projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006 Për librin në Republikën e Shqipërisë.
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në disa mbledhje radhazi të zhvilluara në datat 27, 28 tetor dhe 3 nëntor 2009, ka marrë në shqyrtim projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006 Për librin në Republikën e Shqipërisë.
Nisma për shtesa dhe ndryshime në ligjin ekzistues ka lindur si pasojë e zhvillimeve të reja në fushën e botimeve dhe është tregues i impenjimit të Qeverisë për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të vendeve më të zhvilluara.
Projektligji përqendrohet në përmirësimin e atyre neneve të ligjit aktual, të cilat nuk kanë gjetur zbatim në praktikë. Ai synon krijimin e një klime sa më bashkëpunuese ndërmjet shtetit dhe autorëve e botuesve; nxit ndërtimin e një politike sa më efikase në fushën e botimeve; planifikon mbështetjen e botimeve nga Fondi Kombëtar i Librit, nëpërmjet financimit të botimeve specifike për grupe të veçanta të shoqërisë; lehtëson procedurat administrative për licencimin e shtëpive botuese.
Pas diskutimeve nen për nen, Komisioni, duke qenë parimisht dakort me projektligjin dhe pasi mori në konsideratë një pjesë të propozimeve të bëra në seancën dëgjimore të zhvilluar me grupet e interesit, vendosi të bëjë këto ndryshime:
- Në nenin 1 të projektligjit, pika e propozuar për tu ndryshuar të riformulohet: 4.Përgjegjësi i Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës.
- Pas nenit 4, të shtohen 2 nene me këtë përmbajtje:
Neni 4/a
Gërma g në nenin 21 shfuqizohet.
Neni 4/b
- Neni 22 shfuqizohet.
- Neni 6 të hiqet.
- Para nenit 7 të shtohet një nen i ri me këtë përmbajtje:
Neni 6 /a
Neni 44 ndryshon si më poshtë vijon:
Neni 44
Për çdo botim apo ribotim, sipas përcaktimeve të nenit 26, përsëritet e njëjtA procedurë e përcaktuar në nenin 43, duke shënuar në të të dhënat e botimit apo të ribotimit, datën e parë, datën e dytë, të tretë e çdo datë pasardhëse në vijim të afatit të dorëzimit.
- Në nenin 7, pika 2 të hiqet.
- Po në nenin 7, në pikën 3 të hiqet fjalia: Gjobat paguhen pranë zyrës së financës së Bibliotekës Kombëtare.
Në përfundim, pas shqyrtimit në tërësi të projektligjit, Komisioni është dakord që projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006 Për librin në Republikën e Shqipërisë të kalojë për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.