E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkop Anastas Janullatosin me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

4 nëntor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Anastas Janullatos, në të cilin shpreh urimet më të mira me rastin e 80-vjetorit të lindjes së kreut të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë.

“Fortlumturia Juaj Anastas,

Është një kënaqësi e veçantë që në këtë 80- vjetor të ditës së lindjes Tuaj të përfitoj nga rasti për t’ju uruar jetë të gjatë, shëndet të mbarë, forcë dhe energji në kryerjen e misionit tuaj të shenjtë në drejtim të Kishës Autoqefale Ortodokse në Shqipëri!

Duke pasur parasysh veprimtarinë tuaj të gjatë e të vyer në shërbim të Zotit dhe të mësimeve të shenjta për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të vlerave dhe virtyteve shpirtërore, do të dëshiroja që në këtë ditë të veçantë për Ju, të shpreh dhe një herë vlerësimin tim të lartë për kontributin dhe veprimtarinë tuaj në drejtim të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, në ringjalljen e besimit fetar dhe shpresës njerëzore për një jetë e të ardhme sa më të begatë si dhe në konsolidimin e mëtejshëm të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri!

Edhe njëherë, Fortlumturia Juaj, edhe njëqind dhe Zoti ju bekoftë e ju dhëntë një jetë të gjatë e të frytshme në të mirë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë!” –shprehet Presidenti në mesazhin e tij të urimit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›