Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit mes GTZ dhe Entit Rregullator të Ujit
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e fillimit të projektit “Mbështetje për Entin Rregullator të Ujit në Shqipëri”, nënshkruar mes GTZ dhe ERRU, si dhe inagurimit të ambjenteve të reja të Entit Rregullator të Ujit. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Bern Bohard, si dhe përfaqësuesja e zyrës së GTZ-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë zonja Urlike Gantse-Sommer.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar zoti ambasador Bern Bohard, zonja Gantse-Sommer, drejtuese e zyrës qendrore për GTZ për Shqipërinë dhe Maqedoninë, zoti Avni Dervishi kryetar I Entit Rregullator të Ujit, të nderuar të pranishëm. Së pari dua t’ju shpreh kënaqësinë time të madhe për inagurimin e zyrave të këtij institucioni të rëndësishëm sot, si dhe për stadin në të cilën Enti Rregullator i Ujit ka arritur. Uji përbën pasurinë natyrore dhe komerciale më të madhe të vendit. Trajtimi dhe qëndrimi ndaj tij është një qëndrim themelor, që ka të bëjë me të ardhmen e zhvillimit të vendit. Enti Rregullator i Ujit, është autoritet më një rëndësi shumë të veçantë, i cili synon apo ka për detyrë të rregullojë të gjitha marrëdhëniet e tregut të ujërave në vend. Në pavarësinë e tij, ky ent mbështet fuqishëm nismat e tregut, sikundër përcakton kriteret më të drejta, më të sakta, të qëndrimit ndaj shfrytëzimit të tyre. Në maj të vitit 2008, ne bëmë përmirësimet të ndjeshme të ligjit bazë të Entit Rregullator të Ujit. Në vitin 2009, me ndryshimet që bëmë, me vendimet e Këshillit të Ministrave ne zgjeruam mundësinë e pjesëmarrjes së operatorëve privatë, licensimin e tyre për trajtimin e ujit të ndotur dhe urban. Tashmë nga dy ka vetëm një licensë dhe janë zvogëluar shumë barrierat burokratike.
Qeveria gjermane gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë donator kryesor i Shqipërisë në fushën e ujërave. Siç theksoi ambasadori, janë me dhjetra projekte që shtrihen nga veriu i vendit gjer në jug e juglindje, në tërësi shumë të sukseshsme, që ia lehtësojnë problemet popullsisë për furnizimin me ujë dhe problemet e trajtimit të ujërave të zeza. Midis tyre, do të theksoja projektin e fundit që ndryshoi dhe përmirësoi në mënyrë të shkëlqyer, situatën në liqenin e Ohrit. Zoti ambasador, kam shumë kënaqësi të theksoj se vera që kaloi ishte vera më e mbarë turistike e Pogradecit dhe unë ju garantoj ju, se një rol kryesor ka patur pastërtia që u krijua në liqen, pas përfundimit të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza të Pogradecit dhe Tushemishtit.
Enti Rregullator gjatë kësaj periudhe ka vendosur lidhje të ngushta me Entet Rregullatore të vendeve fqinje ose me vendet fqinjë, pasi disa prej tyre akoma nuk i kanë ngritur, por për ne përbën një rëndësi të veçantë ky bashkëpunim me Malin e zi, me Maqedoninë dhe Kosovën. Dua të falenderoj përzemërsisht GTZ-në, për ndihmën bujare që i ka dhënë Entit Rregullator, të falenderoj zotin Andreas Kanzler, i cili tashmë ka marrë detyra shumë më të larta në hierarkinë e këtij institucioni në vendin e tij, për angazhimin, kujdesin dhe për inkurajimin që i ka bërë Entit Rregullator të Ujit të Shqipërisë. Dua të siguroj kryetarin e këtij enti dhe punonjësit, se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe të parlamentit në të gjitha përpjekjet e tyre për konsolidimin e praktikave dhe standarteve më të mira, në qëndrimin ndaj problemit të ujërave të vendit.
Edhe një herë ju uroj suksese.
03/11/2009