E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon raporterët e KE-së David Wilshire dhe Jaakko Laakso.

  Kryetarja e Kuvendit priti sot në takim raporterët e KE-së David Wilshire dhe Jaakko Laakso.   Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, përfaqësuesit e Këshillit të Europës përgëzuan Kryetaren e Kuvendit për rizgjedhjen e saj duke theksuar se rizgjedhja juaj në këtë post është shumë e rëndësishme, pasi ju i njihni çështjet parlamentare në thellësi.
Ata vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm të Kryetares Jozefina Topalli dhe të Kuvendit të Shqipërisë me Këshillin e Europës, duke shprehur besimin në thellimin  e raporteve shumë të mira.   Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit falenderoi të gjithë vëzhguesit ndërkombëtar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Ajo vlerësoi raportin e Këshillit të Europës i cili thekson se Procesi zgjedhor në 93 përqind të qendrave të votimin u vlerësua mirë dhe shumë mirë dhe se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri shënuan një progres të dukshëm.   Kryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje, edhe sipas raportit përfundimtar të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR u certifikuan si "zgjedhje që plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së", duke shprehur kënaqësinë se këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të mirat që Shqipëria ka pasur, duke përmbushur kështu synimin për plotësimin  e standardeve.   Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin që  për herë të parë sistemi zgjedhor dhe Kodi i propozuar nga opozita u votuan shumë kohë parpara zgjedhjeve dhe po ashtu, ndërtimi i Komisionit Qendror u votua me konsensus në parlament. Komisionerët e majtë e të djathtë si asnjëherë më parë firmosën në procesverbalet e zgjedhjeve dhe nuk pati as edhe një provë për deformim rezultati. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi në unanimitet rezultatin përfundimtar.
 
Për herë te parë u realizua regjistri kombëtar dhe lista elektronike e zgjedhësve. Për herë të parë zgjedhësit shqiptarë patën mundësi të pajiseshin me kartat e identitetit dhe për herë të parë transparenca në numërimin e votave ishte maksimale.   Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment shumë të rëndësishëm. Ajo është tashmë anëtare e NATO-s, ka paraqitur kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE dhe po punojmë për të hequr vizat për qytetarët shqiptar.   Duke u ndalur në këtë moment të rëndësishëm dhe duke theksuar rolin thelbësor të parlamentit, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi edhe një herë ftesën, që në mënyrë të përsëritur u ka drejtuar deputetëve të opozitës  që të vijnë e të zenë vendet e tyre në parlament pasi kjo është shumë e rëndësishme për vendin, sepse, siç kemi provuar edhe më parë, tha ajo,  parlamenti është vendi i negociatave dhe i konsensusit.   Kryetarja e Kuvendit dhe raporterët e Këshillit të Europës biseduan mbi bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe intensifikimin e shkëmbimit të përvojës mes delegacioneve, por edhe për mbështetjen e KE-së në rritjen e kapaciteteve administrative.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›