E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijon shqyrtimin në parim të projektligjit Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2010.

  Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, më datë 18 nëntor 2009, vazhdoi me shqyrtimin në parim të projektligjit Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2010.
Në seancën dëgjimore të organizuar nga Komisioni ishin të pranishëm Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Agron Tufa dhe Drejtori i Përgjithshëm, Petrit Beci, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, Drejtori i ATSH-së, Artur Zheji dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Arben Lami.
Pasi dëgjoi komentet pozitive të përfaqësuesve të sipërcituar mbi buxhetin e akorduar institucioneve të tyre, që ka pësuar rritje në krahasim me vitin 2009, si dhe propozimet e tyre, Komisioni vendosi që ti propozojë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave këto ndryshime:
- Për RTSH në të shikohet mundësia e një shtese në buxhet prej 50 milionë lekësh në fondin për investime dhe 20 milionë lekësh në fondin për projektet kulturore dhe artistike.
- Për Akademinë e Shkencave propozon shtesën prej 6 milionë lekësh në fondin e parashikuar për mbulimin e shpenzimeve të akademikëve në veprimtaritë shkencore jashtë vendit dhe shtimin e fondit për shërbime nga 27 milionë në 31 milionë lekë.
Për sa i përket kërkesës së ATSH-së për një shtesë prej 120 milionë lekësh për shtim të numrit të personelit, Komisioni vlerësoi të pamundur realizimin e një kërkese të tillë, pasi organika  e këtij institucioni varet nga Këshilli i Ministrave.
Në lidhje me kërkesën e QKK-së për rritje të konsiderueshme të buxhetit për mbështetje të projekteve për prodhimin dhe bashkëprodhimin e filmave, Komisioni vlerësoi se kjo mund të realizohet në varësi të mundësive që mund të krijohen gjatë shqyrtimit të burimeve shtesë në Buxhetin e Shtetit.         
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›