E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon seancë dëgjimore me përfaqësues të ministrive për Progres Raportin 2009

  Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 17.11.2009, në orën 11:00,  dëgjoi raportimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në kuadër të shqyrtimit të  Progres Raportit  2009 dhe  në orën 12:30,  shqyrtoi  në parim  projektligjin Për buxhetin e shtetit të vitit 2010.
Ishin të pranishëm në mbledhje: Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Durim Kraja;   përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sonila Baka, Skënder Çota dhe  Taulant Zenelaj, përfaqësuesja e    Ministrisë  së Financave Ariana Çela, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit: Valbona Paluka, Irfan Tarelli, Niko Roshanji, Agron Vata dhe Beatriçe Bezhani, përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit: Pëllumb Abeshi, Kozma Kocani  dhe Flora Llukmani, si dhe Zëvendësministrja e  Turizmit,  Suzana Turku.   Për çështjen e parë,  fillimisht foli  Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali. Ai tha se në Raport në Kapitullin Lëvizja e Lirë e Mallrave është vlerësuar pozitivisht në përgjithësi progresi i institucioneve. Janë analizuar standardizimi, akreditimi, metrologjia, rregullat tenike për produktet, mbikqyrja e tregut dhe mbrojtja e konsumatorit, si dhe kapacitetet administrative përkatëse. Pritet që me rritjen e aktiviteteve të mbikqyrjes së tregut, të nxitet rritja e laboratorëve testues të akredituar në fushat përkatëse. 
Paketa e re ligjore e Metrologjisë është një përafrim me standardet europiane në këtë fushë.
Është vlerësuar progresi në drejtim të vazhdimit të harmonizimit legjislacionit në fushën e rregullave teknike për produktet nga Drejtoria e Mbikqyrjes së Tregut.   Gjatë këtij viti janë miratuar 6 Vendime të Këshillit të Ministrave në lidhje me: ashensorët, sistemet mbrojtëse në atmosfera potencialisht shpërthyese, boilerët që përdorin gaz, pajisjet mbrojtëse personale, kërkesat e eficensës së energjisë për droselat, kërkesat e eficensës së energjisë për pajisjet frigoriferike.   Është miratuar një ligj i ri për kërkesat dhe informacionin standard në lidhje me efiçensën e energjisë së pajisjeve për përdorim shtëpiak dhe po përgatiten aktet nënligjore në zbatim të tij.
Është vlerësuar progresi në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, si në aspektin e përmirësimit të harmonizimit të legjislacionit për disa lloje kontratash nga Drejtoria e Mbikqyrjes së Tregut në METE, por edhe në atë të kuadrit rregullator institucional për zbatimin e tij, konkretisht Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Këshilli Bashkërendues.   Shqipëria është pjesë e një rrjeti të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, që përfshijnë:
(i) Marrëveshjen e Stabilizim Asocimiit;
(ii) Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë CEFTA
(iii) Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Republikën e Turqisë.
Ashtu siç e thekson edhe raporti i fundit i Bashkimit Europian, Shqipëria po zbaton në mënyrë shumë korrekte Marrëveshjen Tregtare, si pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2000, shënoi një hap të rëndësishëm në zhvillimin e vendit duke përmbushur kështu një nga objektivat më të rëndësishme të politikës ekonomike shqiptare.
Raporti i Bashkimit Europian vlerëson Shqipërinë për zbatimin e detyrimeve dhe angazhimeve që ajo ka kundrejt Organizatës Botërore të Tregtisë.   Reforma Rregullatore, si koncept i ri për Shqipërinë, ka filluar të funksionojë si e tillë në fund të vitit 2005, kur Qeveria shqiptare e ndërmori atë me synimin kryesor përmirësimin e klimës së biznesit. Në kuadër të kësaj reforme 2 kanë qenë prioritetet kryesore:
(i) reformimi i regjistrimit të biznesit (ngritja e QKR-së )
(ii) reformimi i sistemit të licencimit (ngritja e QKL-së). Kjo reformë drejtohet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Sipas progres raportit 2009, ka patur progres të mirë në fushën e zhvillimit të SME-ve dhe të industrisë.
Gjithashtu ka patur progres të përgjithshëm në drejtim të implementimit të Kartës Europiane të SME-ve, por sidomos në drejtim të regjistrimit të kompanive, reformës rregullatore, aksesit në financë dhe nxitjes së eksportit.
Raport Progresi i vitit 2009, për Shqipërinë, ndërmjet të tjerave, identifikon dhe disa çështje, që duhet të jenë në vëmendje për tu trajtuar në të ardhmen në lidhje me problemet e furnizimit me energji elektrike, të tregut të energjisë, si dhe eficencën energjetike. Shqipëria është një vend ku energjia elektrike prodhohet pothuajse nga energjitë e rinovueshme. Kjo strukturë prodhimi, do vazhdojë dhe në të ardhmen të jetë prioritet për METE-n, si në shfrytëzimin e burimeve hidrike, por dhe ato të erës, të diellit apo të biomasës;
Mjaft projekte për ndërtim centralesh që shfrytëzojnë energjinë hidrike apo atë të erës, apo të biomasës, kanë marrë të drejtën e ndërtimit nga pala shqiptare .
Duke patur parasysh Direktivën 2009/28/EC të Bashkimit Europian për energjitë e rinovueshme, është përgatitur një projektligj i ri për to, me asistencë të huaj dhe është dërguar për komente në  Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë .
Mbi këtë bazë sigurisht do të hartohen edhe aktet nënligjore.   Për çështjen e dytë, kryetari i Komisionit, Jemin Gjana, ftoi përfaqësuesit e ministrive të shpreheshin për buxhetin e dhënë për këtë vit. Fillimisht foli përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Ariana Çela. Ajo shpjegoi se Projektbuxheti i vitit 2010 pasqyron ndjekjen e politikave makroekonomike të planifikuara e të koordinuara, si dhe thellimin e reformave ekonomiko- strukturore që synojnë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, ruajtjen e ecurisë së mirë të realizimit të të ardhurave, ruajtjen e një norme inflacioni në niveli 3%, rritjen nominale të importeve të mallrave; mbajtjen e deficitit në norma të ulëta dhe uljen e borxhit publik etj.
Projektbuxheti 2010 reflekton një sërë prioritetesh që janë: investimet publike, bujqësia,  e cila do të ketë mbështetje më të madhe, vazhdimi i uljes së shpenzimeve korente, etj.   Përfaqësuesi i METE-s vlerësoi punën  e Ministrisë së Financave për punën e bërë për  hartimin e këtij projektligji. Ai tha  se projektbuxheti i kësaj ministrie ka një rritje  prej 42% në krahasim me  buxhetin e rishikuar të vitit 2009, rritja në  investime  është në masën 75%, ndërsa  në shpenzime korrente ka një rritje 1.5%. Mund të  bëhet nga METE një kërkesë për rialokim fondesh.   Përfaqësuesi i MBUMK-së  theksoi se buxheti i këtij viti ka një rritje prej 11.6% në krahasim me vitin e kaluar,  ka një reduktim në  shpenzime korrente dhe rritje në  investimet kapitale. Ai kërkoi  fonde shtesë për realizimin e programit   për mbjelljen e 20 mijë rrënjë ullinj dhe realizimit të projektit për matrikullimin  e bagëtive të imta.   Përfaqësuesja e  MPPTT-së  kërkoi  shtesë në buxhet, për mirëmbajtjen e rrugëve dhe
për ujësjellës- kanalizimet.
 
Përfaqësuesi i Ministrisë së  Mjedisit kërkoi shtesë fondesh për pagat e punonjësve sezonalë, që nevojiten për ruajtjen e pyjeve nga zjarri gjatë stinës së verës. Në total, Ministrisë së Mjedisit i janë dhënë në projektbuxhet 2.1 miliardë lekë, ose 7.7 % më shumë.   Ministria e Turizmit e përfaqësuar nga zëvendësministrja Suzana Turku, vlerësoi  buxhetin  e dhënë kësaj ministrie.   Në përfundim të diskutimeve,  komisioni  e votoi dhe e miratoi  në parim këtë projektligj. Kryetari i  Komisionit  ftoi përfaqësuesit  e Ministrive të  paraqesin propozime konkrete për shtesa në buxhet brenda ditës së premte. Shqyrtimi nen për nen do të vazhdojë në mbledhjen  e datës 23.11.2009.
&n

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›