Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon seancë dëgjimore me aktorë të interesit për administrimin e fondit të filmave shqiptarë
Më datë 28 janar 2010 Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore në lidhje me problemin e ngritur nga Forumi i Mbrojtjes së Autorëve të Audiovizualit për administrimin e fondit të filmave shqiptarë të prodhuar nga Kinostudioja deri në vitin 1990.
Si aktorë të interesit ishin të ftuar përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, FMAA-së, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Arkivit Shtetëror të Filmit dhe Zyrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit.
Fillimisht, u dëgjuan përfaqësuesit e Forumit, të cilët, në rradhë të parë, në emër të luftës kundër piraterisë, kërkojnë ndryshimin e ligjit nr. 8096, datë 21.3.1996 Për kinematografinë, ndryshuar me ligjin nr. 9380, datë 28.4.2005, neni 23, sipas të cilit Administrimi i prodhimit kinematografik të Kinostudios Shqipëria e re deri në vitin 1990 kalon nga Albafilm Studio te Qendra Kombëtare e Kinematografisë, me argumentin se kjo Qendër nuk arrin ta realizojë këtë detyrim ligjor.
Pasi dëgjoi edhe të pranishmit e tjerë dhe u bashkua me shqetësimin e ngritur nga përfaqësuesit e komunitetit të autorëve të filmit shqiptar, të përfaqësuar nga FMAA-ja,
Komisioni konkludoi që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pasi të zhvillojë konsultat e nevojshme, duhet të bëjë propozimet e duhura për ndryshime në ligjin Për kinematografinë, në zgjidhje të problemit të ngritur.