Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton ndryshime në ligjin Për tatimin mbi të ardhurat
Në mbledhjen e datës 20 janar 2010, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 Për tatimin mbi të ardhurat të ndryshuar, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave.
Ky projektligj propozon:
- Të gjitha të ardhurat në formë monetare që injektohen nga burime jashtë kompanisë të tatohen me 10%;
- Të gjithë personat që janë subjekt i taksës së biznesit të vogël, që realizojnë xhiro më shumë se 2 milionë lekë, janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale;
- Të ulet pragu i klasifikimit si person i tatueshëm me tvsh nga 8 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Të gjithë personat, të cilët janë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, kontingjenti nga 5-8 milionë, që është subjekt i taksës së biznesit të vogël, do të vazhdojnë të jenë subjekt i taksës së biznesit të vogël, pra, nuk i nënshtrohen tatimit mbi fitimin.
- Ndryshime për sa u përket gjobave për mosdeklarim në afat, për të qenë në përputhje me ligjin Për procedurat tatimore, si dhe datave në përputhje me ligjin Për kontabilitetin.
Komisioni e miratoi projektligjin me të gjitha votat pro, me një ndryshim.