Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon seancë dëgjimore për peticionin e studentëve të Universitetit të Vlorës
Më datë 15 dhjetor 2009, ora 11.00, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore në lidhje me peticionin e studentëve të Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Vlorës, që kanë filluar ciklin akademik në vitet 2006 2007 dhe 2007-2008, të cilët sot janë studentë të vitit të tretë dhe të katërt, për të vazhduar ciklin universitar katërvjeçar. Të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, të Këshillit Kombëtar të Studentëve dhe studentë përfaqësues të firmëtarëve të peticionit.
Pasi dëgjoi argumentet e palëve, të pranishëm në takim, mbi problemin në fjalë, Komisioni vlerësoi mirëkuptimin e arritur ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe studentëve të departamentit të Drejtësisë së Universiteti të Vlorës, për tu njohur ciklin universitar 4 vjeçar atyre studentëve që kanë filluar studimet para hyrjes në fuqi të ligjit të ri nr. 9741, datë 21.5.2007 Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, ndryshuar me ligjin nr. 9832, datë 12.11.2007.