Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton ndryshimet në ligjin Për lojërat e fatit
Në mbledhjen e datës 7 dhjetor 2009, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10033, datë 11.12.2008, Për lojërat e fatit, të ndryshuar, në prani të Zëvendësministrit të Financave, z. Alfred Rrushaj dhe të stafit të kësaj ministrie.
Këto ndryshime janë bërë për të përmirësuar disa aspekte që kanë dalë nga zhvillimi i këtij aktiviteti.
Projektligji ndryshon nivelin e taksimit për bastet sportive dhe masën e gjobës, në rastet e kundërvajtjes administrative; ndalon lojtarët mbi 18 vjeç, për të cilët ka një denoncim me shkrim nga njëri nga familjarët, pranë Njësisë së Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit; liberalizohet dhënia e licencës për kazino, pa përcaktimin e zonave ku hapen apo numrit të tyre; ndryshojnë detyrimet tatimore që do të paguajnë disa nga shoqëritë e lojërave të fatit, të cilat tentojnë të paguajnë tatimin fiks të parashikuar, pavarësisht se xhiroja reale mund të mos i përgjigjet këtij tatimi fiks; ulet gjoba për kundërvajtjet administrative etj.
Deputetët drejtuan një sërë pyetjesh dhe diskutuan për ndryshimet e propozuara. Në fund të diskutimit, komisioni e miratoi projektligjin me të gjitha votat pro, me ndryshime.