E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon seancë dëgjimore me Ministrin e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 10.12.2009, në orën 10:00, dëgjoi informacionin e Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu në kuadër të shqyrtimit të  Progres Raportit  2009.
 
Ishin të pranishëm në mbledhje edhe përfaqësues të kësaj Ministrie: Pëllumb Abeshi, Enkelejda Mulaj, Nehat Çollaku, Roland Kristo, Bajram Mejdiaj, Rezart Shazi.
 
Fillimisht,  raportoi Ministri Mediu. Ai tha se në kuadër të shqyrtimit të Progres Raportit 2009, janë analizuar dhe janë nxjerë detyra sipas sektorëve që mbulon  kjo ministri. Janë shqyrtuar  në mënyrë të hollësishtme  detyrimet që lindin nga zbatimi i marrëveshjeve dhe konventave, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
 
Ministria është  përfaqësuese e Qeverisë shqiptare  në çështjet  globale të mjedisit. Çështja me akute në sferën globale është padyshim çështja e ndryshimeve klimatike, ngrohja globale, efektet dhe problemet qe shkaktohen prej saj, të cilat reflektohen dhe  tek ne.
 
Në bazë të Protokollit të Kiotos, Shqipëria është përfshirë në aneksin 1, i cili na jep mundësi të përcaktojmë rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë sonë miqësore ndaj ambientit e quajtur ndryshe Green Economy. Në të njëjtën kohë kjo jep mundësi të eksplorojmë mundësinë për të përfituar në tregun e karbonit mbështetje financiare, të cilat në sektorë të ndryshëm, sidomos të mbetjeve apo pyjeve, marin vlera të konsiderueshme.
 
Gjetja dhe shfrytëzimi i burimeve alternative të energjisë, është kthyer tashmë në një sfidë për shumë vende, diversifikimi i burimeve të energjisë dhe sidomos orientimi tek energjia eolike dhe solare janë tashme sfida reale me potencial të konsiderueshëm për vendin tonë. 
 
Mbi bazën e këtyre dokumenteve, do të përgatiten dhe propozohen politika dhe masa përkatëse për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
 
Lidhur me raportin e Bashkimit Europian mbi pjesën që i takon mjedisit, në përgjigje të konkluzioneve të bëra në kuadër të këtij raporti, si dhe të politikave të Ministrisë për çëshjtjet përkatëse, janë ndërmarrë  një sërë masash teknike dhe organizative. 
 
Gjatë këtij viti janë hartuar e miratuar 2 ligje dhe 5 VKM. Janë në proces  për tu dërguar në Këshillin e Ministrave edhe 2 ligje të tjera dhe 9 VKM.
 
Për menaxhimin e mbetjeve urbane, në bashkëpunim me BE-në, po përgatitet  një Plan Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve dhe një Plan Rajonal. Përgatitja e këtyre planeve do të shoqërohet me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore, duke përcaktuar raportet dhe detyrimet e qeverisjes qendrore, asaj lokale dhe aktorëve privatë të interesuar në këtë fushë, në përputhje me Direktivën Evropiane për këtë çështje.
 
Infrastruktura, pajisjet, metodikat dhe baza ligjore për monitorimin e mjedisit  kanë pasur progres të dukshëm dhe janë realizuar me mbështetjen e buxhetit të shtetit dhe të donatorëve, kryesisht të BE-së.
 
Në kuadër të monitorimit të cilësisë së ajrit, Ministria synon zgjerimin e rrjetit të monitorimit duke shtuar numrin e stacioneve, përmirësimin e metodikave dhe indikatorëve si dhe përmirësimin e pajisjeve. Këto do të realizohen në kuadër të projektit që do të fillojë vitin e ardhshëm i  financuar nga BE.
 
Cilësia e ajrit urban, është dhe mbetet problematike në Tiranë. Kjo lidhet  me trafikun e pakontrolluar, planifikimin urban dhe sistemin i parkimeve. Kjo është një çështje e cila duhet të zgjidhet në raport me përgjegjësitë e pushtetit vendor dhe atij qendror, që duhet të synojnë dhe përfshijnë në planifikimin hapësinor, elemente të ruajtjes dhe përdorimin e qëndrueshëm të mjedisit. Kjo e bën të detyrueshme miratimin e planeve urbanistike dhe në mënyre të veçante atë të Tiranës si qendra më e madhe e banuar dhe më problematike.
 
Lidhur me ujin, MMPAU ka përgjegjesi për administrimin e ujrave si burim natyror. Në raportin e BE trajtohen ujrat e ndotura, që janë pjesë e punës së MPPTT-së. Për këtë  ministria ka forcuar kontrollet në zbatimin e kërkesave për shfrytëzimin e inerteve të lumenjve, si dhe ka planifikuar që nëpërmjet KKU të ndërmarrë masa ligjore për ndalimin e aktiviteteve që dëmtojnë ekosistemet  ujore të baseneve të lumenjve. Me asistencën e BE , Ministria ka planifikuar që për vitin 2010 të hartojë ligjin e ri Për rezervat ujore, që do të jetë  plotësisht i përafruar me direktivën e BE-së.
 
Janë rehabilituar  disa zona problematike, ose hot spots, si ai i Sharrës, arseniku në Fier, Rafineria e Ballshit,  si dhe janë në proces përfundimi, ose zbatimi projektet:
 
- Projekti Identifikimi dhe vlerësimi i pikave të nxehta mjedisore në Shqipëri (PNUD), në proces.
- Rehabilitimi i pikës së nxehtë të Porto Romanos në Durrës (BB), në proces përfundimi
- Reduktimi i ndotjes në pikën e nxehtë të Rafinerisë së naftës në Ballsh (BE), I përfunduar
- Rehabilitimi i hot-spot-it në Rubik (BE), përfunduar
- Rehabilitimi i Hot-spot-it të PVC-së  në Vlorë (BE), në proces.
 
Mbrojtja e natyrës dhe e biodiversitetit përbën një ndër drejtimet kryesore të politikave të ministrisë. Kjo është arritur nëpërmjet hartimit dhe përafrimit të  legjislacionit për këtë fushë me direktivat e BE-së. Nje objektiv i  rëndësishëm ka qënë dhe rritja e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura.
Gjatë vitit 2009 janë miratuar VKM për kriteret e inventarizimit të biodiversitetit dhe të rrjetit monitorues. Po ashtu  ministria ndjek me përparësi  hartimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit në parqet kombëtare. Për këtë është i nevojshëm rritja e  bashkëpunimit me ministritë e linjës, veçanërisht me MBUMK, si dhe me organet vendore.
 
Është në proces projektligji i ri  Për faunën, i cili është përfaruar me direktivat e BE-së për shpendët. Ligji parashikon gjithashtu masa të rrepta për mbrojtjen e faunës dhe vendosjen e një moratoriumi për ndalimin e gjuetisë.
Përsa i përket ndotjes industriale, nga të dhënat e monitorimit në zonën industriale të Elbasanit, që është edhe zona më problematike, shihen tregues në përmirësim, çka tregon që edhe kompanitë janë duke repektuar standardet mjedisore. Mbetet ende për të bërë kontroll në fabrikat e çimentos.
Pjesë e rëndësishme e zhvillimit të sektorit të peshkimit  është zhvillimi i infratsrukturës së porteve dhe të tregjeve të peshkimit. Për të ndërtuar portin e peshkimit në Durrës qeveria ka siguruar një fond prej 12 milion dollarësh nga Banka Islamike,  por ky projekt rrezikohet të zbatohet sepse bashkia Durrës nuk jep lejen e ndërtimit të këtij porti,  pa asnjë arsye  ligjore.

Për vitin 2010,  ministria ka planifikuar hartimin e planit kombëtar të zhurmave,  si kërkesë e ligjit për zhurmat. Planifikimi hapësinor, i cili përcakton rregulla të qarta të densitetit me zonat e gjelbra, është një detyrim imediat në planifikimet urbane, për parandalimin e ndotjes mjedisore nga zhurmat dhe përcaktimin e qartë të zonave në përputhje me parametra mjedisore. 

Konkluzionet e paraqitura në  raportin e BE-së për fushat që mbulon Ministria e Mjedisit janë marrë parasysh në programin analitik të planifikuar për vitin 2010,  sa i takon nismave ligjore, ndërsa në lidhje me çështjet e tjera për fuqizimin e zbatueshmërisë së ligjit, hartimin dhe zbatimin e politikave për fushën e mjedisit, pyjeve, peshkimit dhe ujrave, ato janë bërë pjesë e programit të punës së ministrisë për këtë periudhë dhe për vitin në vazhdim.
 
Mbledhja vijoi me pyetjet e deputetëve për Ministrin. Pas dëgjimit të përgjigjeve  të tij, Kryetari i Komisionit, Jemin Gjana, falënderoi Ministrin Mediu dhe e siguroi atë se do të ketë mbështetjen e Komisionit.
 
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›