E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton në parim projektbuxhetin e vitit 2010

  Në mbledhjen e datës 17 nëntor 2009, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, vazhdoi diskutimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2010, në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave.
Komisioni e vlerësoi buxhetin e vitit 2010 si një buxhet ambicioz që na kthen në kushtet e një viti normal, ruan stabilitetin fiskal, ul deficitin buxhetor në 3% të PPB-së, duke qenë në linjë me Programin Buxhetor Afatmesëm, ruan inflacionin brenda normave të parashikuara nga Banka e Shqipërisë, rrit pagat dhe pensionet, etj.
Qeveria ruan qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe do të financojë deficitin buxhetor, pa ndikuar në uljen e kreditimit të sektorit privat. Ai do të zbatohet në kushtet e risqeve të shtuara, prandaj dhe kontigjencat janë në nivele të larta: një pjesë e fondeve që rezervohen drejtpërdrejt për rastet e krizës, rezerva e Këshillit të Ministrave dhe kontigjenca 5 mld lekë, që të gjitha së bashku janë më shumë se 10 mld lekë. Bujqësia do të jetë prioritet dhe rritja për të është më shumë se 20%, krahasuar me vitin 2009.
Deputetët vlerësuan reformat e rëndësishme që do të vazhdojnë gjatë vitit 2010, si:
- reforma në sistemin tatimor, e cila do të rrisë të ardhurat dhe do të përmirësojë klimën e biznesit të vendit;
- shkurtimi i shpenzimeve administrative; - shkurtimi i administratës për një qeverisje të vogël;
- reformimi i skemës ekonomike, reforma në financimin e sistemit shëndetësor, etj.      Fondi për Zhvillimin Rajonal, u cilësua një risi, që do të bëjë një shpërndarje të fondeve publike mbi kritere më të balancuara për zhvilllimin e rajoneve të ndryshme. Ai është instrumenti i duhur dhe në përputhje me filozofinë e integrimit të vendit.   Për sa i takon huamarrjes, deputetët vlerësuan që kostot duhet të ndahen në mënyrë të barabartë midis brezave, prandaj një huamarrje më e lartë në këtë periudhë nuk do të dëmtonte ekonominë e vendit.
Gjithashtu, për sa i takon investimeve, ata vlerësuan se duhet të bëhen investime më themelore për të rritur cilësinë e jetës dhe jo të bëhen riparime. Ata vërejtën që gjatë hartimit të buxhetit, ministritë duhet të japin argumente dhe të marrin angazhime në terma realë dhe jo financiarë, pra, të tregojnë se çfarë projektesh do të realizohen.
Komisioni vlerësoi se pjesëmarrja e opozitës në diskutimin e projektligjit më të rëndësishëm të vitit, është e rëndësishme dhe për këtë arsye e ftuan që të bëhet pjesë e këtij diskutimi.   Në fund, Komisioni me të gjitha votat pro, miratoi në parim projektligjin.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›