E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton në tërësi projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 Për taksat kombëtare, të ndryshuar.

Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 Për taksat kombëtare, të ndryshuar, që u diskutua sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në thelb synon rishikimin e disa taksave kombëtare dhe rregullimin e disa problemeve të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit aktual. economy18
Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave shpjegoi ndryshimet kryesore që ky projektligj propozon duke u ndalur fillimisht në heqjen e emërtimit të taksës së mjedisit dhe kalimin si taksa kombëtare të ndara të taksës së mjeteve të përdorura të transportit, taksës së karbonit për benzinën, benzolin, gazoilin dhe qymyrin, si dhe taksës së ambalazheve plastike të lëngjeve.

Aplikimi i rentës minerare fikse, është një tjetër ndryshim që propozohet në projektligj, ndërkohë që do të jetë Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës që do të përcaktojnë vlerën e saktë në përqindje të rentës së pasurisë minerare sipas vlerës së tregut për çdo mineral apo grup mineralesh. Deputetët vlerësuan këtë projektligj, duke nënvizuar se ky ndryshim plotëson pikërisht prioritetin qeverisës për decentralizimin fiskal dhe e cilësuan atë si një tregues të frymës së bashkëpunimit midis qeverisjes vendore dhe organeve të qeverisjes lokale.

Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho u ndal në çështjen e ndalimit të përdorimit të materialeve plastike dhe kalimit drejt materialeve të riciklueshme për ambalazhim. Sipas zotit Spaho Ministria e Financave duhet të shohë në tërësi problematikën e mjedisit dhe të krijojë mekanzima të mbrojtjes mjedisore.
Anëtarët e tjerë të Komisionit gjithashtu theksuan se është shumë e rëndësishme që të hartohet një axhendë për çështjet e mjedisit, të cilat mbeten shqetësim kryesor edhe në vendet e Bashkimit Europian.

Pas shqyrtimin dhe diskutimit edhe nen për nen të projektligjit, Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi kalimin e projektligjit për në seancë plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›