E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvillon një seancë dëgjimore me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë dhe miraton 2 projektligje

 

Në mbledhjen e datës 3 shkurt 2009, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi këto çështje:
1. Seancë dëgjimore me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë, për projektligjin Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit;
2. Projektligji Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, Për sistemin e taksave vendore, të ndryshuar;
3. Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, Për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, paraqitën para Komisionit vërejtje dhe propozime në lidhje me projektligjin, të cilat kërkojnë që të ndryshojnë gjatë diskutimit dhe miratimit të tij në Kuvend. Deputetët bënë pyetje dhe kërkuan sqarime më të detajuara për çështje të ndryshme. Komisioni mori të gjitha kërkesat e tyre dhe do t`i vlerësojë gjatë diskutimit të projektligjit me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.
Projektligji  Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, Për sistemin e taksave vendore, të ndryshuar, propozon ndryshimin e nivelit të taksës që duhet të paguajë investitori i një ndërtimi të ri, për ndikimin që ai ka në infrastrukture. Kjo taksë tani është në masën 1-3% e vlerës së investimit (2-4% për Bashkinë e Tiranës) dhe propozohet të shkojë në 0.1%. Ky ndryshim bëhet për arsyen se vlerat e investimeve mund të jenë shumë të mëdha dhe me këtë taksë rritet kostoja e tyre. Disa deputetë u shprehën kundër shifrës 0.1%, duke kërkuar një shifër më të lartë, me argumentin se kjo taksë, e cila i jepet pushtetit vendor, do të ndihmojë në zhvillimin e zonave ku kryhet investimi. 
Komisioni me shumicë votash e miratoi projektligjin, pa ndryshime.
Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, Për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar, bën ndryshime në dy aspekte:
1. Rregullon referencat e të gjitha ligjeve, të cilave ai i referohet, duke hequr ligjet që janë shfuqizuar dhe duke i zëvendësuar me ato që  janë në fuqi.
2. Njëtrajtëson trajtimin e dividentëve dhe ndarjen e fitimit, i cili shpërndahet nga shoqëritë rezidente për përfitues rezidentë.
Komisioni e miratoi projektligjin me të gjitha votat pro, pa ndryshime.

 (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›