E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha fton biznesin kroat të investojë në Shqipëri

- Shqipëria paraqet interes për biznesin kroat, veçanërisht në tre fusha: turizëm, energjetikë dhe infrastrukturë.

Kryeministri Berisha u prit në takim nga Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Kroacisë Nadan Vidoshevic dhe përfaqësues të tjerë të biznesit kroat. Në takim ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë z. Damir Polancec.

Kryeministri Berisha bëri një prezantim të reformave në Shqipëri dhe masave të marra për të parandaluar efektet e krizës financiare në Shqipëri, duke theksuar se kjo krizë e gjeti Shqipërinë një vend me taksa të ulëta. Qeveria ime, tha Kryeministri, vendosi taksën e sheshtë prej 10 për qind, uli kontributin e sigurimeve shoqërore në 15 për qind, ka ulur shumë tarifa në një euro. Ne kemi synuar dhe arritur që Shqipëria të ketë rritje të lartë ekonomike, sepse ne jemi një vend kohëhumbur.

Kryeministri Berisha theksoi, gjithashtu, se qeveria ka investuar fuqishëm në infrastrukturë, sepse ne trashëguam një infrastrukturë të botës së tretë, prandaj 10 për qind e PPB-së së vendit është investim në infrastrukturë. Këto masa, tha Kryeministri, kanë bërë që kriza në Shqipëri të mos ketë efekte të forta dhe bankat kanë gjendje mjaft të mirë likuiditeti.

Duke ftuar biznesin kroat të investojë në Shqipëri, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria paraqet interes për biznesin kroat, veçanërisht në tre fusha:

Së pari, në turizëm, ku Shqipëria, me rreth 400 kilometra bregdet ende të pazhvilluar, ofron mundësi të jashtëzakonshme.

Së dyti, në sektorin e energjisë, ku vetëm në dhjetor 2008, ne kemi lidhur kontrata për 3.5 miliard euro në energjinë hidrike. Kryeministri i njohu të pranishmit me diskutimet shumë të suksesshme me Kryeministrin Sanader në lidhje me gazjellësin Trans-Adriatik (TAP). Nesër, u shpreh Kryeministri, do të njoftoj Bordin Drejtues që mblidhet në Tiranë, për lobimin që Kroacia do të bëjë për realizimin e këtij projekti, si dhe për bisedimet e frytshme që pata në Davos dhe Uashington për këtë çështje. Të frytshme, Kryeministri Berisha konsideroi edhe bisedimet për bashkëpunimin në kuadrin e energjisë nukleare, si energjia më e pastër dhe e domosdoshme për të plotësuar nevojat e rajonit me energji.

Së treti,në infrastrukturën rrugore, ku sipërmarrësit kroatë do të gjejnë mjaft mundësi për investime të suksesshme. “Një tjetër projekt që do ta bëjmë realitet është autostrada joniano- adriatike, shumë shpejt do të bëjmë me katër korsi rrugën nga Shkodra në Vlorë, fillon rruga Shkodër-Hani i Hotit dhe Vlorë-Sarandë me dy korsi të gjera,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha informoi, gjithashtu, se me palën kroate është rënë dakord të punohet bashkërisht që brenda këtij viti të hiqen vizat midis dy vendeve.

Fjala e Kryeministrit Berisha u prit me entuziazëm nga të pranishmit, ndër të cilët kishte edhe disa biznesmenë me origjinë shqiptare. 


10/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›