Presidenti Mesić i shpreh Kryeministrit Berisha mbështetje për heqjen e vizave midis dy vendeve, deri në fund të këtij viti
- Gjatë takimit, Presidenti Mesić e informoi Kryeministrin Berisha se pala kroate po punon për përfundimin e autostradës trans-adriatike, si një urë lidhëse midis Europës dhe Ballkanit Perendimor
Në vijim të vizitës që po zhvillon në Zagreb, Kryeministri Berisha u prit sot në një takim nga Presidenti i Republikës së Kroacisë Z. Stjepan Mesić.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, Presidenti Mesić dhe Kryeministri Berisha u shprehën se ekziston vullneti i duhur nga të dy palët për bashkëpunim të ngushtë politik, ekonomik dhe në shumë fusha të tjera.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu kanaqësinë për takimin me Presidentin Mesić, duke e quajtur atë një mik të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Të gjithë shqiptarët ju janë mirënjohës për mbështetjen që ju i keni dhënë aspiratave të tyre për liri dhe dinjitet, gjatë gjithë karrieres tuaj politike. Popujt tanë kanë një miqësi historike dhe ata së bashku po përjetojnë ngjarjen më të madhe të historisë së tyre; anëtarësimin në NATO, fryt i një marrëdhënieje të shkëlqyer bashkëpunimi midis kombeve dhe qeverive tona”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria e sheh me shumë interes anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe se Kroacia e meriton atë, sepse i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret. “Anëtarësimi i Kroacisë është i domosdoshëm për integrimin e mëtejshëm të të gjitha vendeve të rajonit. Integrimi i Kroacise është shumë i rëndësishëm dhe qeveria kroate ka dëshmuar se është e gatshme të bëjë çdo gjë të mundur për të lehtësuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Presidenti kroat Stjepan Mesić i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetje të plotë për heqjen e vizave midis dy vendeve, deri në fund të këtij viti.
Duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën ekonomike, Presidenti kroat u shpreh se po punohet për infensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Presidenti Mesić e informoi Kryeministrin Berisha se pala kroate po punon për përfundimin e autostradës trans-adriatike, si një urë lidhëse midis Europës dhe Ballkanit Perendimor. Kryeministri Berisha u shpreh se do të intensifikohet më tej bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe të ekonomisë. Shqipëria ka krijuar kushte shumë të favorshme për investitorët kroatë, vijoi më tej Kryeministri, duke nënvizuar uljen e taksave dhe krijimin e një klime tepër të favorshme për biznesin.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Mesić diskutuan dhe për bashkëpunimin në kuadrin e energjisë nukleare. Presidenti Mesić shprehu kanaqësinë që vendet tona po bashkëpunojne në kuadrin e energjisë nukleare, e cila është më e pastra dhe më e domosdoshmja për të plotësuar nevojat e rajonit tonë për energji, por edhe për t’i bërë vendet tona të pavarura në aspektin energjitik. Presidenti Mesić theksoi se përfshirja e sa më shumë vendeve në këtë projekt garanton një mundësi më të madhe suksesi për realizimin e tij.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Mesić me diskutimet që kishte zhvilluar me Kryeministrin Sanader për ecurinë e projektit të gazësjellësit trans Adriatik (TAP). “Me Kryeministrin Sanader diskutuam dhe ramë dakord për çështje shumë të rëndësishme ekonomike si projekti për gazësjellësit trans Adriatik (TAP) dhe projekti për energjinë nukleare, për të cilin Kroacia ka eksperienca të tjera bashkëpunimi, siç është ajo me Slloveninë, në Krecko”, u shpreh Kryeministri Berisha.
10/02/2009