E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon Ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis.

  Kryetarja  e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim Ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, e cila ndodhet në Shqipëri në cilësinë e Kryetares së rradhës të OSBE-së.   Duke u ndalur në prioritetet e politikes së jashtme të Shqipërisë; anëtarësimin në BE dhe NATO, Kryetarja e Kuvendit theksoi se:   Ratifikimi i MSA-së nga parlamenti grek, përmbylli edhe fazën e ratifikimeve nga vendet anëtare të BE-së, të cilat njëra pas tjetrës i dhanë besimin Shqipërisë europiane. Po ashtu ne besojmë se do të përmbyllim së shpejti edhe ratifikimin e protokollit të NATO-s nga vendet anëtare të Alenacës.   Parlamenti grek, tha Ministrja Bakojanis do të ratifikojë javën e ardhshme këtë protokoll dhe jam e bindur se të gjithë vendet e NATO-s do ta ratifikojnë deri në Samitin e prillit. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin. Ky vit, theksoi ajo, do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe besoj se gjithcka po ecën shumë mirë.   Kryetarja e Kuvendit i uroi zonjës Bakojanis suksese gjatë prezidencës greke së OSBE-së .   Kryetarja e Kuvendit theskoi se është me shumë interes prezenca e vëshguesve të OSBE në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilët do të kenë mundësi të shohin procesin zgjedhor më të lirë e transparent që Shqipëria ka realizuar.   Shqipëria, tha Kryetarja e Kuvendit ka ndryshuar shumë. Transformimet  që prej vitit 2003 janë rrënjësore dhe këto arritje e kanë futur Shqipërinë në raporte të forta dhe të pakthyeshme të integrimit në BE dhe NATO.   Shumë reforma të rëndësishme janë bërë në Parlament, vijoi ajo, ku do të veçoja reformën elektorale të realizuar me konsesus të gjerë politik.   Baza infrastrukturore për zgjedhjet si Kartat e Identitetit, regjitstri elektronik i zgjedhësve apo Pasaportat Biometrike, si dhe vullneti ynë maksimal për zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë garanci për zgjedhje me standarde europiane dhe ky është prioritet i yni.   Biseda u fokusua edhe në çështjen e Kosovës, ku Kryetarja e Kuvendit theksoi se do të ishte shumë e rëndësishme anëtarësimi i Kosovës në OSBE ashtu si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës, theksoi ajo ka sjellë një ndryshim rrënjësor pozitiv në perspektivën europiane të Ballkanit.   Kryetarja e Kuvendit, përmes zonjës Bakojanis i përcolli Kryetarit të Parlamentit grek Sioufas përshëndetjet e saj të sinqerta, duke theksuar dëshirën për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve të dy vendeve fqinj.                                                
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›