E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Integrimin Europian shqyrton projektrezolutën "Për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Europian"

Komisioni për Integrimin Europian në mbledhjen e zhvilluar në datën 09.03.2010, në orën 14 :00, me cilësinë e Komisionit që jep mendim, mori në shqyrtim «Projektrezolutën për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Europian», propozim i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Shqipërisë në përmbushje të misionit të tij dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, vlerëson dialogun me BE-në për liberalizimin e vizave, si dhe përshëndet angazhimin e Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Ministrave të BE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, angazhim, që është shprehur me deklaratën e përbashkët të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, të datës 12 Nëntor 2009.
Kuvendi i Shqipërisë, përmes rezolutës, shpreh bindjen se liberalizimi sa më i shpejtë i regjimit të vizave:
është një hap i rëndësishëm në procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë;
çon në forcimin e bashkëpunimit njerëzor, ekonomik, kulturor dhe shkencor midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si dhe
konsolidon demokracinë, ekonominë e tregut dhe vlerat e shtetit të së drejtës. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë në përmbushjen detyrimeve të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe duke u mbështetur në vokacionin Europian të qytetarëve Shqiptarë dhe në rëndësinë jetike që ky proces ka për ta,
i bën ftesë Komisionit Europian, të respektojë kalendarin kohor për përgatitjen e raportit vlerësues, për të mundësuar propozimin legjislativ për liberalizimin e vizave në fillim të pranverës 2010, që do ti hapte rrugë marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave deri më datën 1 Korrik 2010. Pas shqyrtimit të Projektrezolutës, Komisioni vendosi që në tekstin e saj të bëhen disa shtesa dhe ndryshime, të cilat do të pasqyrohen në raportin e komisionit për seancën plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›