E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus të plotë Rezolutën "Për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian".

Kuvendi I Shqipërisë miratoi me konsensus të plotë mes pozitës dhe opozitës, Rezolutën "Për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian". Fillimisht Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli lexoi tekstin e projektrezolutës, ndërsa kreu i Komisionit për Politikën e Jashtme, Fatos Beja paraqiti përpara Kuvendit raportin e këtij Komisioni. Në emër të Partisë Socialiste, deputetja Arta Dade, vuri në dukje se integrimi i Shqipërisë në Bash imin Europian sjell edhe njëherë në vëmendje frymën e konsensusit që ekziston mes partive politike për këtë çështje.
Zonja Dade tha se çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e vendeve me demokraci funksionale ka gjetur dhe do të gjejë mbështetjen e Partisë Socialiste. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha tha se :Procesi i kërkesës për heqjen e vizave është një proces i bazuar tërësisht mbi meritën. Në gjithë komponentët e plotësimit të standardeve është mundi, djersa, përkushtimi i qindra e mijëra punonjësve të institucioneve shtetërore të këtij vendi. Nuk mund të imagjinoj që Parlamenti të kërkojë heqjen e vizave pa shprehur një vlerësim për një pune të jashtëzakonshme që është bërë, për reformat e thella që janë ndërmarrë, për praktikat e reja që janë vendosur, për kostot e mëdha që janë përballuar nga taksapaguesit. Sot keni pasaportat biometrike më modernet dhe më të avancuarat në Europë. Në çdo pikë kufitare është vendosur sistemi TIMS. Ky sistem, është vendosur, sepse është i domosdoshëm për kontrollin e kufijve, por është një kërkesë e prerë, është investim, dhe taksapaguesit shqiptar kanë paguar për këtë. Gjithashtu është sistemi MEMEX, apo një seri reformash të tjera. Heqja e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët vjen duke vlerësuar një realitet të ri të krijuar në këtë vend në identifikimin në kontrollin e tij." tha Kryeministri Berisha.
Më tej e morën fjalën deputeti i LSi, Nënkryetari i Kuvendit Nasip Nace dhe deputeti i PBDNJ Vangjel Dule, të cilët shprehën mbështetjen e forcave të tyre politike, për liberalizimin e vizave, si një ngjarje të shumëpritur dhe të merituar për aspiratat evropiane të shqiptarëve. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, duke bërë një analizë të historikut të përpjekjeve për heqjen e vizave me BE, renditi arritjet e Shqipërisë në këtë proces. Hartimi dhe shpërndarja në numër të konsiderueshëm të pasaportave biometrike, kontrolli i kufijve me teknologji elektronike të standarteve evropiane, rezultatet në luftën kundër trafiqeve të lëndëve narkotike, klandestinëve, automjeteve, krimit të organizuar përafrimi i legjislacionit të shqiptar në këtë fushë, me atë të BE dhe masa të tjera në rend e siguri, ishin në qendër të fjalimit të ministrit të Brendshëm. Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 127 vota pro, asnjë kundër, dhe asnjë abstenim, Rezolutën "Për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›