E Diel, 1 Nëntor 2026

KKRRTRSH miraton 2.7 miliardë dollarë investime dhe 42 mijë vende të reja pune

21-12-2012 / Gazeta 55

Miratohet ndërtimi i Kaskadës së Devollit dhe projekti TAP - Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Rregullimit të Territorit, kryeministri Sali Berisha ka prezantuar dy projektet gjigande, atë të kaskadës së Devollit dhe projektin TAP, të cilët në tërësinë e tyre përbëjnë 2.7 miliardë euro investime në Shqipëri dhe që do të gjenerojnë 42 mijë vende të reja pune. Këto dy projekte për nga rëndësia cilësohen ndër dy projektet më të rëndësishme në Evropë, që nisin zbatimin e tyre në vitin 2013

Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë (KKRRTRSH), vendosi dje për dy projekte gjigante, që në tërësi përbëjnë investime në vend prej 2.7 miliardë euro, atë të kaskadës së Devollit dhe atij të gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP). Dy projektet e propozuara dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, kaskada e Devollit dhe gazsjellësi TAP, krahas rëndësisë strategjike, përbëjnë edhe një vlerë të çmuar ekonomike. Projekti TAP, i cili kalon në një gjatësi prej rreth 200 kilometra në territorin tonë, do të bëhen rreth 2 miliardë euro investime dhe këtu punësohen direkt mbi 20 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe rreth 15 mijë të tjerë indirekt. Ndërsa kaskada e Devollit, punimet për të cilin nisin vitin e ardhshëm, është një projekt me mbi 800 milionë euro investim, punëson direkt dhe indirekt mbi 7 mijë punëtorë, teknikë, inxhinierë, menaxherë, juristë, ekonomistë e drejtues. Të dy këto projekte fuqizojnë ndjeshëm sistemin energjetik dhe ekonomike shqiptare, si dhe së bashku projektojnë 42 mijë vende të reja pune. Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha theksoi të dy këto projekte që, për nga rëndësia e tyre dalin jashtë kufijve të këtij vendi, janë dy ndër më të rëndësishmet, që nisin zbatimin vitin e ardhshëm në Evropë. Kreu i qeverisë tha se projekti i Kaskadës së Devollit me vlerë 800 milionë euro, do ndërtohet nga kompania numër një e HEC-ve në Evropë dhe botë, “Statkraft” dhe EVN, që menaxhon mbi 200 hidrocentrale.
Në cilësimin e kryeministrit Berisha këto projekte, për nga garancia, dalin jashtë kufijve të vendit dhe janë dy ndër projektet më të rëndësishme që nisin zbatimin e tyre vitin e ardhshëm, në Europë. “Kaskada e Devollit do të realizohet nga kompania numër një e hidrocentraleve në Europë dhe ndërtuesi kryesor i hidrocentraleve në botë, e cila menaxhon mbi 200 hidrocentrale, kompania norvegjeze ‘Statkraft’ dhe nga kompania austriake EVN. Projekti i kaskadës së Devollit është një projekt i madh, me mbi 800 milionë euro investim. Me tre hidrocentrale, i bazuar në tunele me dhjetëra kilometra, ky projekt transformon në mënyrë rrënjësore sistemin hidroenergjetik të vendit dhe përbën një hop cilësor drejt shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi energjetike rajonale. Projekti ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse punëson direkt dhe indirekt mbi 7 mijë punëtorë, teknikë, inxhinierë, menaxherë, juristë, ekonomistë e drejtues. Faktikisht, ky është projekti i punësimit më të madhtë shqiptarëve. Hidrocentrali i Devollit kalon në një zonë në një nga zonat më të izoluara dhe të thella të vendit, sepse infrastruktura e ndërtuar i ka përmbysur konceptet e thellësisë së vendit. Projekti i Devollit kalon në një trajektore shumë të izoluara dhe i shndërron ato ndër zonat më të urbanizuara të vendit, kryesisht zonat e rrethit të Gramshit. Hidrocentralet e kaskadës së Devollit janë të parat hidrocentrale të rëndësishme, me jetëgjatësi shekullore. Për shkak të ndërtimit të tyre bazuar kryesisht në tunele, ato kanë meritën e kapërcimit të shekujve, vetëm me ndërrimin e turbinave dhe sistemi i tyre ujor mbijeton shekuj e shekuj. Vendimi që pret sot Bordi i Statkraft është dëshmi e një besimi të madh tek Shqipëria, tek ligjet dhe mjedisi miqësor ndaj biznesit. Nuk ka diskutim që këto ligje e ky mjedis ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm, por, nga ana tjetër, është pa mëdyshje e vërtetë se këto ligje e ky mjedis përbëjnë një bazë solide e të fortë për investime të përmasave evropiane e botërore, siç është investimi i ‘Statkraft’ i Norvegjisë në kaskadën e Devollit, është dëshmi  e një besimi të madh tek sistemi funksional i ekonomisë së tregut. Ndaj u shpreha që në fillim se kemi të bëjmë me një seancë historike të këtij Këshilli”, u shpreh kryeministri Berisha. Ndërkohë, KKRRTRSH në mbledhjen e djeshme miratoi vendimet edhe për disa HEC-e të tjera si Stravaj, Lenies, Zall-Tores etj. Gjithashtu, Këshilli i Rregullimit të Territorit, mori në shqyrtim edhe planin rregullues të territorit të bashkisë së Beratit dhe të Kamzës.
Gazsjellësi TAP
Krahas ndërtimit të kaskadës së Devollit, një projekt tjetër i rëndësishëm për vendin, është edhe gazsjellësi Trans-Adriatik Pipeline (TAP). Këshilli i Rregullimit të Territorit e përcaktoi projektin e gazsjellësit si çështje të rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit, projekti më i rëndësishëm energjetik në vend. Për ndërtimin e TAP, në Shqipëri do të investohen 2 miliardë euro, ndërsa krijohen 20 mijë vende të reja pune. “Dua të ndalem në një vendim tjetër të një rëndësie shumë të madhe, vendimi i shpalljes së projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik si çështje e rëndësisë kombëtare. E vërteta është se TAP është një projekt i një rëndësie të madhe ndërkombëtare. Shqipëria pati fatin e bëri çdo përpjekje që të jetë pjesë e këtij projekti historik. Projekti i parë madhor që sjell gazin e Kaspikut dhe Azisë Qendrore drejt Evropës Perëndimore, në trajektoren jugore të Evropës. Ky projekt është investim gjigand. Vetëm në fushën e Shah Deniz 2 investohen për furnizim me gaz të këtij gazsjellësi, 25 miliardë euro. Në ndërtimin e tij, si investim i parë investohen mbi 12 miliardë euro, nga të cilat rreth 2 miliardë euro në Shqipëri. Projekti ndryshon në kahje pozitive situatën energjetike në Evropën Perëndimore dhe Juglindore”, tha ai. Ky projekt madhor, tha kryeministri, është dëshmi e një besimi të madh të gjigandëve të gazit e naftës, kompanive më të mëdha të kësaj fushe në botë, të qeverive të këtyre vendeve, tek klima dhe mjedisi i favorshëm për biznes në Shqipëri, është dëshmi e palëkundur e tyre në funksionalitetin e ligjit dhe të ekonomisë së tregut në këtë vend. Sipas tij, nisur nga realizimi i projektit të TAP, Shqipëria jo vetëm merr një rol qendror në shpërndarjen e gazit, por njëherazi nis e sigurt në 4 vjeçarin që vjen gazifikimin e të gjitha familjeve shqiptare. “Shqipëria merr një rol qendror në shpërndarjen e gazit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Perëndimore, pasi ajo do të jetë një nyje nga e cila gazi do të kalojë drejt bregut tjetër, por do të ngjitet gjithashtu drejt veriut në vendet e tjera ballkanike. Shqipëria nis e sigurt, në katërvjeçarin që vjen, gazifikimin e familjeve shqiptare në të gjithë territorin e saj, duke ju garantuar atyre energji për ngrohje e gatim, me koston më të ulët se të gjitha format e energjisë që përdoren sot. Shqipëria ka edhe depozitat natyrore të mëdha të gazit, të cilat do të vihen në dispozicion të këtij projekti dhe përbëjnë një aspekt shumë të çmuar, për suksesin e këtij projekti”, deklaroi kryeministri.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›