E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9072, datë 22.5.2003 Për sektorin e Energjisë Elektrike, të ndryshuar"'.

  Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 27.10.2009,  shqyrtoi projektligjin  Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9072, datë 22.5.2003 Për sektorin e Energjisë Elektrike, të ndryshuar"'.   Të pranishëm në mbledhje ishin Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës:   Leonard Beqiri, si dhe përfaqësuesit  e kësaj ministrie, Fation Tugu  dhe Zamir Stefani.   Fillimisht të pranishmit dëgjuan relatorin e komisionit për këtë projektligj, deputetin Ilir Bano. Ai shpjegoi se  këto  ndryshime në ligjin bazë vijnë si pasojë e rritjes së interesit  për  investime   në impiantet  prodhuese  të energjisë elektrike, që përdorin  burime të rinovueshme. Enti Rregullator i Energjisë përcaktohet si institucioni përgjegjës,  i cili do të hartojë rregullat dhe  procedurat për  kualifikimin e   centraleve që përdorin  burime të rinovueshme energjie dhe certifikimin e tyre. Me anë të këtij projektligji autorizohet Këshilli i Ministrave të ndërmarrë nisma nxitëse  për ndërtimin  e centraleve që shfrytëzojnë  burimet e  rinovueshme, energjia e të cilëve do të konsumohet tërësisht brenda vendit. Projektligji zbaton parimin e prodhimit  dhe konsumit të  energjisë së pastër për mjedisin,  si dhe   bën një hap para në përafrimin  e  legjislacionit tonë të kësaj fushe,  me atë të BE-së.   Më tej, u dëgjuan shpjegimet e përfaqësuesit të ministrisë. Ai shpjegoi se ky projektligj ka për qëllim të promovojë burimet e energjisë së rinovueshme, të përcaktojë organin kompetent për instrumentat që promovojnë përdorimin e energjive të rinovueshme, të përcaktojë detyrimet që kanë prodhuesit  e energjisë elektrike nga burimet konvencionale,  lidhur me energjinë elektrike që ata janë të detyruar  për të  injektuar në rrjetin elektrik. Të gjitha  këto duhet  të jenë në harmoni me direktivat dhe legjislacionin e BE-së.
Në zbatim të  direktivës së fundit të BE-së, kërkohet  që organi kompetent të mos jetë  ERE, por Operatori i  Sistemit të Transmetimit. Këtë, përfaqësuesi i  ministrisë e propozoi që të futet në projektligjin që po shqyrtohet.   Në përfundim,  komisioni  vendosi të kërkojë  mendimin e ERE-s për këtë projektligj. Shqyrtimi i projektligjit  shtyhet  për  një datë të mëvonshme.
Përfaqësuesve të ministrisë iu kërkua tabela e përputhshmerisë së projektligjit të  paraqitur,  me  legjislacionin e BE- së.    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›