Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare, për përgjegjësinë civile për dëmet e shkaktuara nga ndotja, nga karburanti i depozitave, 2001.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 28.10.2009, në orën 11:00, shqyrtoi projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare, për përgjegjësinë civile për dëmet e shkaktuara nga ndotja, nga karburanti i depozitave, 2001.
Ishin të pranishëm në mbledhje: përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve: Arben Maloku dhe Desa Metaj.
Ata shpjeguan se Konventa Për përgjegjësinë civile për dëmet e shkaktuara nga ndotja, nga karburanti i depozitave, 2001 ka si qëllim parashikimin e rregullave dhe të procedurave ndërkombëtare, për përcaktimin e përgjegjësive dhe për sigurimin e dëmshpërblimit në rastet e dëmeve të shkaktuara nga rrjedhja apo shkarkimi i karburantit të depozitave të anijeve. Kjo konventë zbatohet në raste të dëmeve të shkaktuara nga ndotja nga mjetet lundruese, në territorin e një shteti palë, ku përfshihet dhe dëmi territorial, në zonën ekonomike ekskluzive, si dhe masat parandaluese që ndërmerren në kuadër të saj.
Gjatë diskutimeve të këtij projektligji, deputetët shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me ndotjen e mjedisit detar nga depozitat e anijeve të huaja, të cilat për mungesë të një legjislacioni të fortë penalizues, bëjnë pastrimin e depozitave të tyre të naftës pranë brigjeve shqiptare, si dhe për dukuri të tjera të cilat ndikojnë në ndotjen mjedisore detare, siç janë dhe depozitat e karburanteve, të firmave tregtuese të tyre, shumë pranë bregut të detit. Në raport me penalitetet e shteteve të tjera, ato të Shqipërisë, janë shumë më të ulëta dhe për këtë arsye, bëhen shkak për moszbatim të rregullave të ndotjes në brigjet shqiptare.
Gjithashtu, deputetët shprehën shqetësimin e tyre edhe për ndikimin negativ që ka ndotja ujore në zhvillimin dhe promovimin e turizimit detar shqiptar.
Në përfundim të diskutimeve, deputetët kërkuan që të bëhet sa më shpejt plotësimi me akte ligjore e nënligjore të konventës, në mënyrë që ajo të bëhet sa më shpejt e zbatueshme.
Komisioni e miratoi në parim projektligjin dhe u shpreh unanimisht dakord që ai të kalojë për miratim në seancë plenare.
Komisioni e miratoi në parim projektligjin dhe u shpreh unanimisht dakord që ai të kalojë për miratim në seancë plenare.