E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton projektligjin Për gjuetinë

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 8.2.2010, në orën 11:00, vazhdoi shqyrtimin e projektligjit "Për gjuetinë, duke organizuar një seancë dëgjimore me grupet e interesit.
 
Ishin  të  pranishëm në mbledhje përfaqësuesit  e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave: Zëvendësministri Taulant Bino, Bajram Ejdiaj dhe Saimir Hoxha,  përfaqësuesit e  Federatës së Shoqatave të Gjuetarëve: Petrit Gjoni, Themi Peri, Kujtim Hazbiu  dhe Nesti Postoli, si dhe përfaqësuesit e shoqatës së  Operatorëve të Gjuetisë Turistike: Mevlan Jaupaj, Fadil Majko dhe  Robert Çibuku.
 
Seancën e hapi Kryetari i Komisionit, Jemin Gjana, i cili i ftoi të ftuarit të prezantoheshin dhe të parashtronin mendimet e tyre rreth këtij projektligji.
 
Përfaqësuesit e  Federatës së Shoqatave të Gjuetarëve bënë  një prezantim të organizmit që  përfaqësojnë dhe theksuan se kjo federatë që përmban 38 shoqata, anëtare me të drejta të plota në organizmat homologe europiane dhe botërore, është e interesuar për   përgatitjen e një   ligji sa më bashkëkohor për gjuetinë. Vërejtjet e saj,  të paraqitura paraprakisht me shkrim në Komision, propozonin krijimin e Këshillit Kombëtar  të Faunës së Egër, pranë Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, si dhe ndryshime  për nenet 24, 46, 48, 56, 64 dhe 65 të projektligjit. Ata shprehën   shqetësimin e tyre për krijimin e shumë shoqatave, të cilat nuk  plotësojnë kushtet bashkëkohore për të qënë të tilla, krijimin e kurseve të përgatitjes  së gjuetarëve, të drejtuar nga specialistë  të fushës, disiplinimin e këtij aktiviteti etj.  Gjithashtu, ata kërkuan të forcohen  sanksionet për shkeljet.
 
Përfaqësuesi i Shoqatës së Agjensive të  Gjuetisë Turistike e vlerësoi në përgjithësi punën e bërë për përgatitjen e  këtij projektligji. Ai propozoi  ndryshime për  nenin 1, për Kreun e Tretë, si dhe forcimin e sanksioneve, etj.
 
Në përfundim, Kryetari i Komisionit ftoi përfaqësuesit  e Shoqatës së  Agjencive të  Gjuetisë Turistike, që  të paraqesin me shkrim  në Komision propozimet e tyre konkrete, për nene  të veçanta të projektligjit.

Shqyrtimi nen për nen i projektligjit do të vazhdojë në  mbledhjet e javës së ardhshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›